TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me ministrin e Brendshëm francez, Gerard Collomb i cili po zhvillon një vizitë dy ditore në vendin tonë. Gjatë fjalës së tij, Rama falënderoi Francën për mbështetjen, ndërsa tha se deri në fund të këtij mandati policia e Shtetit do ketë të njëjtin standard si policitë e vendeve të BE. Sa i përket azilkërkuesve shqiptare, Rama u shpreh se ajo është një rrugë e paligjshme dhe pa krye.

“Duhet të thellojmë bashkëpunimin me Francën në fushën e rendit dhe të sigurisë. Dua të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e vijueshme që Franca i ka ofruar Shqipërisë në disa sektorë të rëndësishëm. Bashkëpunim për të frenuar migracionin e paligjshëm. E informova ministrin për rezultatet e Shqipërisë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit si dhe me pritshmërinë që në 6-mujorin e ardhshëm Shqipëria të marrë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave. Ministri është njohur edhe me procesin e vettingut dhe operacionin ‘forca e ligjit’.
Kemi shpallur ambicien tonë që në fund të këtej mandati policia e shtetit të jetë një polici e standardeve të BE dhe të hyjë në mesataren e policive të BE. Rruga e azilit përbën rrugën e paligjshme dhe pa krye, pasi siç thonë të kthyerit ka një kosto të madhe”- tha Rama.

Ai deklaroi se procesi i integrimit duhet të vijë me reformat e bëra nga Shqipëria.
“Këtë orë duhet ta përshpejtojmë ne me reformat tona dhe nuk mund të presim të na e përshpejtojnë të tjerët. Franca është shtyllë e patjetërsueshme e BE-së dhe ndërsa Shqipëria është një vend që aspiron çeljen e negociatave, është një vend që e mbron këtë aspiratë me rezultate konkrete në çdo aspekt. Dua ta falënderoj ministrin për praninë e tij në Tiranë. Dua ta siguroj në emër të qeverisë shqiptare qeverinë e Francës dhe presidentin Macron se ne do të vijojmë me të njëjtin vullnet të mirëshprehur, të vendosim hap pas hapi gurët e themelit të shtetit të së drejtës dhe ndërtimit të institucionet evropiane këtu në vendin tonë”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se duke qenë të bindur se e vetmja rrugë për të garantuar edhe lëvizjen e lirë është rruga e reformave, negociatave, integrimit të plotë në BE dhe asnjë shteg tjetër përfshirë dhe azilkërkimi. “Për ne funksionimi i demokracisë dhe rregullat bazë janë të panegociueshme. Minisri Collomb është mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe kam bindjen se kjo vizitë i shërben ecurisë së mëtejshme në të gjitha drejtimet dhe përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve tona me Francë. Marrëdhënie që për qeverinë e Shqipërisë janë themelore për sot dhe për të ardhmen”, theksoi Rama.

Ndërsa Ministri i Brendshëm i Francës Gerard Collomb u shpreh i kënaqur për progresin e bërë në Shqipëri.
“E pata takuar zotin kryeministër dhe ministrin e çështjeve europiane dhe ministrin e brendshëm në 20 korrik të këtij viti për disa subjekte që për ne janë të rëndësishëm qoftë për emigracionin e paligjshëm dhe çështjen e rrjeteve të krimit të organizuar që mund të ekzistojnë. Patëm një bisedë shumë pozitive dhe vendosëm të ecnim para. Kur shoh progresin mund të them se jemi të kënaqur dhe kemi besim për vullnetin që ka pala juaj për të rritur bashkëpunimin në këto fusha. I pata premtuar ministrave që do vija në Tiranë, jam shumë i lumtur që sot ndodhem në Tiranë. Sot paradite me ministrin e Brendshëm patëm një takim të gjatë për dy problematika qoftë azilkërkuesit, pasi 20% e zënë shqiptarët. Është një çështje që po mundohemi të punojmë së bashku”, tha Collomb.

Lidhur me votën e Francës për hapjen e negociatave ai tha se është një vendim që do merret nga qeveria franceze dhe Presidenti Macron.
“Në një qeveri nuk është vetëm ministri i brendshëm por edhe Presidenti i Republikës i cili do vendosë se cila rrugë duhet të ndiqet. Fakti që e përmendi Shqipërinë në Universitetin e Sorbonës ka një kuptim. Vullneti i Shqipërisë suaj për të vazhduar është domethënëse, ogur i mirë për të ardhmen dhe do na ndihmojë ne ta mbështesim në këtë proces”, tha Collomb.

(d.d/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: