* D’Alema prezanton librin e tij në Tiranë: Duhet bashkëpunim t’u përballur me krizën e emigrantëve
TIRANE- ryeministri Edi Rama deklaroi të premten se Shqipëria është gati të marrë pjesën e saj sa i takon çështjes së refugjatëve, por “nuk mund të hapim portat dhe të ngecim në kurth”.

Këtë deklaratë kryeministri Rama e bëri gjatë promovimit të librit “Jo vetëm Euro: Demokraci, punë, barazi” të ish-kryeministrit italian Massimo D’Alema, në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog në kryeministri.

Tema e refugjatëve ishte një nga çështjet kryesore të takimit. “Mënyra se si u administrua kriza ishte kaotike. Ajo që ndodhi në Ballkan ishte një spektakël i trishtueshëm, pasi ishte përcjellje nga një stacion në tjetrin. Refugjatët hynjë në BE (Greqi) dalin në Maqedoni dhe hyjnë sërisht në BE. Nuk ka Zot që i mban në tenda, duan të shkojnë në Gjermani. Numri i refugjatëve nuk është dramë e madhe, por mënyra se si shfaqen refugjatët është problem. Ne jemi gati të marrim pjesën tonë, por nuk mund të hapim portat dhe të ngecim në kurth”, deklaroi Rama.

Ndërsa ish-kryeministri italian D’Alema kujtoi se “Italia i qëndroi pranë Shqipërisë në momentet më të vështira, ku mijëra emigrantë shqiptarë iu drejtuan vendit”. “Për shkak të luftës në Kosovë patëm 300 mijë refugjatë. Duhet bashkëpunim për të përballuar krizën e refugjatëve. Europa duhet të kryejë ribashkimin e kontinentit”, tha D’Alema.

Duke u ndalur te libri, D’Alema shpjegoi se libri bën fjalë për një Europë me autoritet dhe në gjendje për të kryer rolin e vet në skenën ndërkombëtare. “Mbi të gjitha në këtë libër theksohet se ky nuk është një mendim i imi, por është një mendim që ka bashkuar të gjitha forcat bashkë”, tha D’Alema.

Gjatë fjalës së tij, ai e cilësoi të domosdoshëm anëtarësimin e Ballkanit në BE, ndërkohë që foli edhe për figurën e kryeministrit Rama si një figurë politike të rëndësishme jo vetëm të rajonit të Ballkanit por edhe një figurë europiane.

“Ne jemi të bindur që fati i Ballkanit është që të jetë pjesë e Bashkimit Europian. E kuptoj që është një moment i vështirë për të folur, por duhet të kemi guximin për të pasur një pozicion të mirëpërcaktuar. Si të themi, kemi një zbrazëti, kemi një plagë në zemër të Evropës. Shqipëria nuk është një kufi ndarës por Shqipëria si vendet e tjera të gadishullit ballkanik, gjendet në zemer të Europës. Pra, është detyrim i BE-së që të punojë përmes një procesi të angazhuar për të përmbushur këtë ribashkim të kontinentit tonë. Ndër të tjera, ne flasim për një hapësirë të ndyshme, që çdo ditë bëhet më moderne. Kryeministri Rama është një lider, një figurë shteti europian. Ky vend i ka të gjitha dokumentat në rregull për t’u bërë një nga shtetet protagoniste të politikës evropiane”, nënvizoi Massimo D’Alema.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij, shprehu mendimet e tij në lidhje me librin “Jo vetëm Euro: Demokraci, punë, barazi” . “Doja ta nisja nga një nënkapitull i librit që është shumë intereant për ne, ku flet për populizmin, sikur të jetë një armik i vërtetë. Ju flisni për një mundësi për ta luftuar populizmin nga poshtë dhe unë mendoj se është interesante”, tha ai.

Në përgjigje të pyetjes së Kryeministrit Rama, D’Alema tha se “populizmi përkufizohet nga studiuesit e shkencave politike si një politikë që i bën thirrje popullit kundër elitave, pra në elitat gjenden kundërshtarë”.

Në promovimin e librit ishin të pranishëm figura të njohura të jetës politike, sociale e kulturore.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb