TIRANË– Një pallat rrezikohet të shembet në rrugën ‘Karl Gega’, në kryeqytet si pasojë e reshjeve të shiut dhe rrëshqitjeve të dheut. Sipas banorëve, shkak për ngjarjen është bërë një gropë që është hapur para vitesh, si dhe muri anësor i cili ka nisur të shembet si pasojë e rrëshqitjeve të dherit që vijnë nga gropa e hapur.

Banorët që jetojnë në këtë pallat shprehen për News24 se janë ankuar prej një viti për gropën që është hapur pranë pallatit të tyre, pasi shërbente dhe si vatër infeksionesh, por problemi i tyre nuk ka marrë zgjidhje.

Më tej banorët shprehen se aktualisht u rrezikohet jeta pasi muri rrethues i gropës, rreth 15 metra i lartë mund të shembet i gjithë dhe rrezikon edhe shembjen e pallatit. Banorët thonë se jetojnë me frikë, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen sa më shpejt të bashkisë për zgjidhjen e problemit.

“Dje pati një tronditje të jashtëzakonshme si një tërmet. Që në 2011 kjo gropë ka qënë kështu. Unë e kam blerë shtëpinë tek firma, për gropën nuk kam pse i drejtohem pronarëve, i drejtohem institucioneve. Kjo gropë është problem edhe për pallatet e tjera. Dje nga frika kemi fjetur në hotel”,- thotë njëri prej banorëve.

(d.d/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: