Kryetari i Kuvendit merr pjesë sot në Konferencën e 8-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ruçi bashkëkryeson sesionin e parë mbi “Integrimi në BE: rezultatet dhe aspiratat”. Në konferencë do të diskutohet dhe mbi Dimensionin e Sigurisë së Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor si Kontribut në Stabilitetin e Evropës”. Gjatë fjalës së tij sot, Ruçi foli për anëtarësimin në BE, si objektivit kryesor dhe qëllimi i përbashkët i forcave politike.

“Anëtarësimi i plotë në BE, qëllimi ynë i përbashkët, krijon institucione të besueshme dhe një shtet në të cilin sundon ligji. Kuvendi ka miratuar me konsensus të gjerë ligje në kuadër të reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. Kuvendi ka përmbushur një nga detyrimet kryesore që Shqipëria ka në këtë fazë të procesit të integrimit në BE. Prioritet i Kuvendit të Shqipërisë mbetet forcimi i dialogut politik e konkretizuar dhe në marrëveshjen e 17 Majit 2017”, deklaroi Kreu i Kuvendit.

Sipas tij, marrëveshja e 17 majit solli përmirësimin e klimës politike në vend dhe riktheu opozitën në parlament.

“Në kuadër të Reformës në Drejtësi, Kuvendi ka vijuar me miratimin e ligjieve prioritare që i shërbejnë integrimit. Kuvendi ka miratuar planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Evropian. Kemi ndërmarrë masa konkrete për adresimin e rekomandimeve të Raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë. Rekomandimet e KE për vitet 2015 dhe 2016 lidhen edhe me kushtet për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Ruçi.

Ai u shpreh se integrimi i plotë i Shqipërisë konsiderohet si alternativa më e mirë drejt një demokracie të qëndrueshme, një shoqërie moderne dhe ekonomie të zhvilluar dhe sigurie më të madhe.

“Anëtarësimi në BE është interesi kryesor kombëtar dhe objektivi strategjik i Shqipërisë, mbështetet në konsensus të gjerë politik dhe mbarëkombëtar”, tha ai.

Në kuadër të Konferencës, Ruçi do të zhvillojë takime dypalëshe me Kryetarët e Parlamenteve pjesëmarrës në konferencë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: