Nga: MIRA TUCI*
TIRANE – Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit nuk është orkestra e Maggio Musicale Fiorentino, por mbrëmjen e 5 marsit një magji ndodhi. Orkestra shqiptare pësoi alkiminë e muzikës, lëvizjeve energjike të maestro Maurizio Barbacini-t dhe joshjen pa kthim nga zëri i “magjistarit” shqiptar Saimir Pirgu. Përtej sallës së Teatrit të Operës stolisur si kurrë më parë në përpjekje për të fshehur njollat e kohës, rrudhat e lënies pas dore dhe zhurmat ndjellakeqe të koreve të asambleve partiake…Opera shqiptare pësoi shndërrimin që ndodh vetëm me mrekullitë e artit të vërtetë. Tenori Saimir Pirgu me një ngjitje marramendëse në majat e skenës botërore operistike në turin e tij që kulmon në operat më glamour të botës, Tokio, Firence, Moskë, Vjenë, Berlin, Nju-Jork, zgjedh t’u japë një bekim të veçantë rrënjëve të tij, me këtë ndalesë fatlume për ne adhuruesit e zërit dhe personalitetit të tij artistik në Tiranë. Veshur me një buzëqeshje që i del nga shpirti, ai hyn në skenë pa zhurmë, por me melodi universi, kompozuar nga mjeshtrit Verdi, Puccini, Gounod, Massenet, Donizzeti ai hyn vrullshëm në qeniet tona. Hera e fundit që ai kishte qenë i pranishëm në skenën shqiptare ishte viti 2013 e për një kauzë shumë fisnike si bamirësia për fëmijët me sindromën Down.

Kësaj here koncerti i tij është një bamirësi që u bëhet shpirtrave tanë të lodhur nga hipokrizia ngrefosur në frak apo nga dhuna e përditshme në kuvendin e atyre që do duhej të ishin “burra shteti”. Zëri i tij i “mëndafshtë”, siç e ka cilësuar “New York Times”, është një mantra që përkundet bukur nga Lucia di Lamermoor e Donizetti-t me arien “Poveri anni miei”, te shpërthimet vokale të aries “O Inferno” nga opera Simon Boccanegra e Verdit.

“Il mio canto”…kënga e Saimir Pirgut është muzika që ka marrë si ushqim për shpirtin, që prej kohëve të fëmijërisë, kur studionte violinë në qytetin e Elbasanit, e deri kur preku shkëlqimin e ëndrrës të këndojë në të njëjtat skena si idhujt e tij “Tre tenorët”. Në veçanti ai që pagëzoi ëndrrën e tij Luciano Pavaroti, në gjurmët e të cilit ka ecur më një këmbëngulje të admirueshme, duke mos i hequr sytë nga qielli dhe në të njëjtën kohë me këmbët ngulur thellë në tokë. Ndonëse albumi është regjistruar me një prej orkestrave konsideruar më elegantja në botë për shkak të timbrikës fine dhe harmonisë që kanë orkestrantët si një trup muzikor unik, siç është orkestra Maggio Musicale Fiorentino nën drejtimin e një profesionisteje të rrallë si Speranza Scapucci, Saimir Pirgu shfaqet si në prova, ashtu edhe në koncert, besimplotë te mjeshtëria e zbukurimeve që dikton dirigjenti i koncertit të Tiranës, e pikërisht maestro Maurizio Barbacini, madje e fton edhe orkestrën t’i besojë energjisë së tij vibruese.

Dhe rezultati është një koncert që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e publikut për zërin e sedeftë të Saimir Pirgut që në arie si “La donna e Mobile” nga opera “Rigoletto” krijon dallgë në të cilat mund të bëhet serf muzikor.

Saimir Pirgu na merr përdore dhe me zërin e tij na dhuron flatra engjëjsh, dhe ne prekim qiellin bashkë me të kur ai i këndon dashurisë me notat e Charles Gounod në arien “L’amour …ah leve-toi Soleil” e shkëputur nga opera “Romeo dhe Zhuljeta”. Në fund të fundit ai ka zgjedhur të na tregojë mënyrën si këndon, të na rrëfejë qenien e tij përmes muzikës, dashurinë e tij për muzikën në një mënyrë kaq elegante, sa rrëshqet brenda nesh një vërshim fjalësh pa shqiptuar asnjë fjalim. Saimir Pirgu ka zgjedhur të flasë përmes muzikës, dhe në ekzaltimin dhe urinë shqiptare për muzikë dhe art të mirë ai bën vetëm një gjest që zgjat pak sekonda: ai vë dorën në zemër, dhe më tej të dyja duart në kraharor në simbolin e shqiponjës, si për të na thënë se vetëm duke ndjekur ritmin e zemrës me krahët e shqiponjës mund të fluturojmë lart.

Një leksion klasi dhe dinjiteti gjithashtu tërësia e prezantimit të tij skenik për shumicën e atyre që ka përballë, përveçse një pjatë muzikore e një rafinimi kaq të rrallë sa, nëse nuk kemi mundësi ta shohim në skenat botërore, do na duhet të presim të kalojnë së paku tri vite të tjera derisa të provojmë diçka të ngjashme.

Ovacione, duartrokitje, herë pas here edhe mes arieve (duke mos treguar kulturë muzikore të lartë) apo më mirë ta cilësojmë një padurim për ta shpërblyer mjeshtërinë unike tw teknikës dhe zërin e Pirgut, që kalon me një lehtësi të jashtëzakonshme, nga përkëdheljet e notave me puplime pëshpërimash, në shpërthime si oshtima deti në stuhi. E ka kaq etje për zërin e Pirgut, sa publiku nuk pushon së duartrokituri, nuk ngrihet nga poltronat e operës përveçse për të shprehur nderimin dhe entuziazmin e tij për këtë artist që na sjell ndërmend Shqipërinë e bukur, atë të njerëzve të talentuar që ndjekin ëndrrat, që luftojnë çdo ditë me dinjitet për të qenë shqiptarë të mirë dhe qytetarë të botës.

E këtë qëndrim Saimiri e rikonfirmon teksa pret me entuziazëm publikun shqiptar dhe admiruesit e zërit dhe artit të tij deri te më i fundit. Firmos albumet e tij duke iu kushtuar vëmendje gjithsecilit dhe duke i dhënë kënaqësinë e një fotoje pa poza, por me një modesti dhe dashuri që na bën të kujtojmë të bukurën dhe mirësinë brenda nesh si shqiptarë. Dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e CD-së së tij shkojnë për fëmijët e sëmurë të Pediatrisë. Tenori më i kërkuar i momentit në skenat botërore, na jep sërish një leksion që duket se e kemi harruar. Të ndajmë atë pak që zotërojmë me ata që mund të jenë talentet brilante nga Shqipëria në muzikë, kinema, shkencë, me të cilët do të ndihemi krenarë njësoj siç ndihemi me njeriun dhe artistin rrezatues që është Saimir Pirgu. Në të njëjtin moment, dy yje të operës shqiptare, Ermonela Jaho në Royal Opera House në Londër dhe Saimir Pirgu në Tiranë e rendisin Shqipërinë e vogël në hartën fizike dhe virtuale të artit botëror. Dhe pas gjithë këtij rrezatimi dhe bekimi paqtues mundesh vetëm t’i dorëzohesh mirënjohjes pse talente si Saimir Pirgu dhe Ermonela Jaho nuk harrojnë të vijnë dhe të na dhurojnë pak nga zemra e tyre e madhe.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: