Grupi gjerman i muzikës elektronike “Schiller” do të zhvillojë sot koncertin e parë të muzikës perëndimore në Iran që prej Revolucionit Islamik në vitin 1979.

Christopher von Deylen dhe grupi i tij “Schiller” do të japin pesë koncerte në kryeqytetin e Teheranit nga 11-15 dhjetori, sipas gazetës “Tehran Times”.

Sipas një njoftimi në faqen zyrtare të muzikës iraniane “Ritmenom”që është edhe organizatorja e koncertit , kishte patur një shitje rekord të biletave për dy netët e para të koncertit të grupit gjerman “Schiller” .

Gjithashtu, edhe për tre netët në vazhdim kishte patur kërkesa të shumta të biletave nga adhuruesit e grupit muzikor elektronik.

Grupi muzikor elektronik “Schiller” njihet gjerësisht nga adhuruesit iranianë të muzikës elektronike për vite me rradhë, por muzika perëndimore është ndaluar nga klerikët iranianë të cilët e kanë konsideruar atë si pjesë e konspiracionit të “pushtimit kulturor” kundër vendit, raporton ‘ata’.

Një përpjekje e vitit 2008 nga kompania muzikore iraniane “TS” për të organizuar një koncert në Teheran të këngëtarit irlandez, Chris de Burgh u anulua në minutën e fundit nga klerikët iranianë, pavarësisht miratimit nga Ministria e Kulturës në vend.

Por, nën drejtimin e presidentit të moderuar Hassan Rowhani, i cili u rizgjodh këtë vit , feja islame ka luajtur një rol më pak të rëndësishëm në politikë, shoqëri dhe kulturë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: