TIRANË– Pas një seance maratonë prej afro 16 orësh, Kuvendi ka miratuar në parim me 82 vota pro dhe 2 kundër projektbuxhetin për vitin 2017. Ligji për akcizën i ndryshuar u miratua me 82 vota pro dhe 2 kundër. Edhe projektligji për taksat kombëtare u miratua në parim me 82 vota pro dhe 2 kundër. Projektligji i tatimit mbi të ardhurat u miratua me 82 vota pro dhe 2 kundër.

Projektbuxheti i vitit 2017 u miratua në orën 2:38 vetëm me votat e mazhorancës, pasi deputetët e opozitës braktisën sallën pak para votimit. I vetmi që qëndroi dhe votoi pro buxhetit nga opozita ishte deputeti Mhill Fufi, ndërsa kundër buxhetit votuan Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi.

Projektbuxheti i vitit 2017 parashikon një shtesë prej 23 miliardë lekësh për rritjen e pagave dhe pensioneve, por sipas opozitës ky buxhet varfëron shqiptarët, ndërsa qeveria mashtron me shifrat.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend kryeministri i vendit, Rama tha se “Projektbuxheti finalizon një përpjekje të vazhdueshme të këtij mandati qeverisës për të futur shtetin në shinat nga kishte dalë që kur ne morëm detyrën. Për të rritur fuqinë blerëse, financuar bindshem reforma të mëdha të viteve të fundit që kanë çelur rrugën e një ndryshimi rrënjësor. Buxheti është arritje shumë e rëndësishme. Një nga treguesit më kuptimplotë është spostimi i 100 milion dollarëve nga arka e buxheti i shtetit në buxhetin e familjeve. Kjo shifër nuk përfshin rritjen e rrogave të policisë së shtetit që në buxhetin e parë me 10 milionë dollarë”.

Duke folur për paketën fiskale në seancë parlamentare, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij në shërbim të qytetarëve kanë kaluar 540 milionë dollarë nga buxheti i shtetit. “Kemi hequr gjysmë miliard dollarë për t’i kaluar nga duart e shtetit tek të qytetarëve. 540 milionë dollarë. Kjo shifër nuk përfshin rritjen e rrogave të Policisë së Shtetit që në buxhetin e parë me 10 milionë dollarë çdo 4 vjet, duke e çuar shumën totale në 580 milionë”, ka deklaruar Rama. Në të njëjtën kohë, ka shtuar kreu i qeverisë, qeverisë i është dashur të shlyej 720 milionë dollarë borxhe të fshehura që i gjeti kur mori detyrën.

“Na u desh të përballemi me një krizë të vërtetë financimi me kantieret e hapura në rrugë. Qeveria e vjetër thoshte kur ishte në pushtet se kishte bërë 10 mijë km rrugë, ndërsa tani në opozitë thotë se ka bërë 11 mijë, pra ka bërë edhe 1 mijë kur e kanë shkarkuar nga detyra. E vërteta është se ka bërë 1.744 km rrugë, jo 10 mijë dhe likuidoi vetëm 34 për qind të vlerës financiare të kontraktuar”, ka vijuar Rama. Ai ka theksuar se, buxheti i qeverisë së tij shmangu rënien në greminë të sistemit financiar të vendit dhe solli një rritje ekonomike të qëndrueshme. “Sot, nga një ekonomi që luahtej mes 0 dhe 1 për qind, këtë vit do të rritet me 3.3 dhe 3.5 për qind dhe do vazhdojë të rritet çdo vit. Me këtë buxhet jo vetëm rrisim rrogat dhe pensionet, por po financojmë reformat për modernizimin e shtetit, por përmirësojmë financat publike dhe stimulojmë mirëqeverisjen”, ka thënë Rama.

“Me këtë buxhet financojmë reformat si motorr i rritjes ekonomike. Hyjmë në një trajektore të uljes së borxhit publik. Kur erdhëm ën qeveri gjetëm 97% e taksapaguesve që kishin lakun në fyt të taksës së sheshtë. Qeveria e vjetër kërkon të rikthehet në pushtet dhe kërkon të rikthejë taksën e sheshtë duke iu vënë sërish lakun në fyt 97% të taksapaguesve”, tha Kryeministri Rama.

Rama kujtoi borxhet e qeverisë së shkuar, së bashku me fundin që kishin parashikuar për ekonominë dhe PS. Rama u shpreh i bindur se kjo qeveri do të prezantojë edhe buxhetin e pestë të saj.

“1.6 miliard dollarë të palikujduarn për rrugët. Po ju jap dhe një shifër tjetër meqe jemi tek gropat, për katandinë e doganeve dhe tatimeve.1.55 miliardë dollarë u munguan në 8 vjet qeverisje. E shtyu Shqipërinë një hap më shumë drejt greminës financiare. Tre buxhetet tona mundësuan shmangien e greminës, konsolidimin fiskal. Sot nga një ekonomi që luhatej me 0 dhe 1 përqind rritje kemi një ekonomi që këtë vit do të rritet mes 3.3 dhe 3.5% dhe do vazhdojë të rritet. Miqtë tanë këtu në të djathtë i parashikuan Shqipërisë një skenar grek, fantazuan dhe deflacionin që u mbiu në gjuhë disa kohë që do rezultonte fatale për qeverinë dhe PS që do përfundonte si PASOK. Por ja ku është qeveria dhe ku do të jetë dhe sot një vit për të paraqitur buxhetin e pestë. Por le të qëndrojmë tek buxheti i katërt. Jo vetëm rrisim rrogat dhe pensionet por financojmë reformat. Hyjmë në trajektoren e një ulje historike të borxhit ekonomik, stimulojmë miqeverisjen duke vendosur qytetarin më në qendër se asnjëherë më parë”, tha Rama.

Por çfarë parashikon buxheti i ri?
Edhe pse një vit elektoral qeveria është treguar e kujdesshme në parashikimin e shifrave në mbledhjen e të ardhurave. Krahasuar me një vit më parë pritet një rritje me 23 miliardë lekë. Vetëm nga paketa fiskale, të ardhurat në buxhet do të shtohen 6.2 miliardë lekë. Qeveria ka shtrënguar dorën gjithashtu edhe në totalin e shpenzimeve të parashikuara për vitin e ardhshëm, me një rritje të llogaritur në vetëm 17 miliardë lekë më shumë se 2016-ta, edhe pse një vit zgjedhor. Por është treguar bujare me pjesën e fondeve që do të kalojë për rritjen e pagave dhe pensioneve. Nga 467 miliardë lekë shpenzime të parashikuara në total, gjysma do të shkojë për rritjen e pagave, pensionet dhe kompensimin e pronarëve. Ndërkohë që paratë e llogaritura për investimet publike mbeten nën objektiv, në masën 5%. Të llogaritura në këtë mënyrë qeveria synon të ulë borxhin publik dhe të nxisë rritjen ekonomike në 4%. Por ndryshe nga tre buxhetet e mëparshme të kësaj qeverie, të monitoruara nga FMN, pas përfundimi të marrëveshjes, arritja e objektivave për vitin e ardhshëm dhe mirëmenaxhimi i buxhetit mbeten për tu parë.

TË ARDHURAT 436 MILIARDË LEKË
SHPENZIMET 467. 1 MILIARDË LEKË
INVESTIMET 59. 2 MILIARDË LEKË
DIFICITI 31,1 MILIARDË LEKË

Të ardhurat ne buxhetin e vitit 2017
Ne total 436 miliardë lekë
Burimi i të ardhurave nga:
– Paketa fiskale, rritje me 29%
– Akciza, rritje me 10.4%
– Tatimi mbi fitimin, rritje me 10.4%
– Taksa doganore, rritje me 10%
– TAP, rritje me 9.8%
– TVSH, rritje me 6.4%

Shpenzimet buxhetore per vitin 2017
Ne total 467,2 miliardë lekë
Ndarja e shpenzimeve publike
1. 162 miliardë lekë për pensionet, kompensim i pronarëve
2. 74,8 miliardë lekë për pagat e administratës
3. 74.4 miliardë lekë për Investimet Publike

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: