DURRËS- Një sherr brenda familjes mund të kishte përfunduar tragjikisht ditën e djeshme në qytetin bregdetar. Policia e Durrësit ka ndërhyrë duke shuar sherrin dhe ka arrestuar një 25-vjeçar pasi kishte plagosur vëllain.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në sajë të ndërhyrjes dhe veprimeve të shpejta kanë parandaluar përshkallëzimin e ngjarjes që mund të kishte pasur pasojave të rënda, si rezultat i një konflikti familjar midis dy vëllezërve.

Efektivet e Policisë, në kohë rekord kanë neutralizuar autorin dhe kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Në pranga është vënë 25-vjeçari Emiliano Begeja, banues në Durrës.

MOTIVI
Mësohet se shkak për ngjarjen është bërë një konflikt i çastit në familjen Begeja, në lagjen 16 në Durrës. 22-vjeçari A. Begeja i ka bërtitur motrës duke e fyer dhe vëllai i tij Emiliano ka ndërhyrë. Në sherr e sipër, ky i fundit e ka qëlluar me thikë vëllain e tij 22 vjeç në shpatull.

I plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Dhunë në familje”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: