Tetë shtetas të huaj u arrestuan në Serbi nga policia ushtarake pas dyshimeve se kishin tentuar të filmonin apo të hynin në qendra ushtarake, njoftoi Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin.

Sipas tij, ata u përpoqën të regjistronin në mënyrë të paligjshme objektet ushtarake ose tentuan hyrjen e paautorizuar në objektet ushtarake, ku hyrja e civilëve ishte rreptësisht e ndaluar.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes serbe, “Policia ka arrestuar tetë shtetas të huaj, pas dyshimeve se ishin përpjekur të filmonin qendra ushtarake, pa autorizim”. Nuk janë dhënë detaje, as për kombësinë, dhe as për identitetin e personave të ndaluar.

Në faqen e internetit, televizioni shtetëror serb (RTS) përmendi arrestimin e dy amerikanëve dhe dy ukrainasve, të dyshuar se ishin përpjekur të filmonin me anën e një droni ish-ndërtesën e shtabit të përgjithshëm serb.

Dje, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, njoftoi para shtypit arrestimin e një grupi shtetasish të huaj duke nënvizuar se nuk bëhej fjalë për diçka të rrezikshme.

“Ne kemi pasur një rast më serioz kohët e fundit. Por, ky i ditës së sotme nuk duket i atij niveli”, theksoi ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: