KOSOVE- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviç, ka kërkuar që objektet e Kishës Ortodokse serbe të Kosovës, krahas Policisë së Kosovës, të ruhen edhe nga pjesëtarë të KFOR-it.

Ai ka thënë kështu sot përmes një kumtese për medie pas asaj që u quajt incident te Manastiri i Deçanit kur, të shtunën, u arrestuan katër persona të armatosur.

“Objektet e Kishës Ortodokse Serbe që janë në listën e UNESCO-s, por edhe ato që nuk janë, duhet të jenë më mirë të siguruara”, ka vlerësuar Stojanoviç.

AI ka falënderuar aksionin e përbashkët të KFOR-it e të policisë të cilët kanë arrestuar katër islamistë dhe kanë penguar që qëllimin e tyre të mbrapshtë ta vënë në jetë.

Zëvendëskryeministri Stojanoviç ka vlerësuar se situata e sigurisë është shumë jostabile. “Islamistët e armatosur janë kërcënim për të gjithë ata që jetojnë Kosovë. Strukturat e Sigurisë duhet ta kryejnë më mirë punën e vet e vendet e shenjta serbe si dhe murgjit e klerikët, krahas policisë, duhet t’i ruajë edhe KFOR-i”, ka përfunduar Stojanoviç.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb