TIRANË- Emisioni “Studio e hapur” i gazetares Eni Vasili mbrëmjen e sotem në ekranin e ‘News24’ po përpiqet t’u japë përgjigje dhjetëra pyetjeve për situatën politike dhe akuzat e palëve për drejtësinë dhe zgjedhjet.

Pas një nisje jo si zakonisht të emisionit, ku një prej të ftuarve të Vasilit, ishte dhe gazetari Artan Hoxha, i cili mbante në duar fara kanabisi, u trajtuan dy prej problemeve më të mprehta në vend; droga dhe protesta e opozitës për garantimin e zgjedhjeve të lira në vend dhe kundër qeverisjes.

Gjatë fjalës së tij analisti Lorenc Vangjeli tha se pas aksionit të suksesshëm në Lazarat, Policia e Shtetit e hoqi vëmendjen nga kanabisi në vend.

“Një nga gjërat që zbuluan shqiptarët këto 25 vite, ishte dhe kanabisi. Shkak dhe pasojë në Shqipëri është politika. Maxhoranca e sotme tentoi të luftonte kundër kanabisit, si në Lazarat. Situata doli jashtë kontrollit, pasi kishte të bënte me vetëkënaqësinë e policisë dhe strukturave të saj. U la pas dore kjo histori. Vjet dhe sivjet kemi parë figurën e policit jo me armë, por me kosë. Këtu janë të gjithë bashkëfajtor. Basha bën pjesë në një parti që e ka toleruar në 8 vitet kanabisin. Në fillim të qeverisjes së majtë, para se të ndërhynte në Lazarat, alarmi që dha partia e Bashës, bëri që të niste aksioni. Por kjo nuk rezultoi shumë e saktë. Sa kohë thuhet se Edi Rama është kryebaron i drogës, do të thotë se ke vrarë të vërtetën. Ne sot fakt real kemi se Shqipëria përndiqet nga ky fakt.”, tha ai.

Ndërkohë, gazetari Arian Çani u ndal tek protesta e opozitës dhe thirrjet e kësaj të fundit për ‘luftë’. Çani i perifrazoi thirrjet e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha jo si thirrje lufte, por si poezi. Nga ana tjetër ai sugjeroi që në protestë mund të mungonte dhe fjalimi politik, pasi sipas tij një qeveri rrëzohet dhe nga heshtja popullore.

“Unë jam paqësor dhe nuk jam për gjuhën e dhunës. Fjalët nuk janë tabu, dhe nuk duhet të fshihen. S’dua të paragjykoj fare Bashën, mundohem ta mirëkuptoj. Pasi u bë dita e 11 sot. Duke qenë se ai është non-stop atje, do ta mirëkuptoja. Varet nga rrethanat. Kur ai thotë ‘luftë’ jo ‘luftë’ me armë. Ka dhe një poezi brenda kësaj fjale. Kur thotë ‘qëlloni’ me grusht, nuk është ‘luftë’ Nuk e kam paragjykuar opozitën. E drejtë apo e padrejtë, është e ligësi që ta sulmosh opoziten. Cilado qoftë ajo. Ata që e anatemojnë opozitën për mua janë disa naivë. Mua ajo që më shqetëson në këtë histori në fakt nuk është gjuha e dhunshme, por nuk shoh një lloj masiviteti. S’ka nevojë për të mbajtur fjalime. Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet dhe me heshtje. Jemi në një beteje palësh. Populli është akoma në shtëpi duke fjetur. Siç thotë qeveria se ‘në emër të popullit bëni vettingun’ unë popullin nuk po e shoh.”, theksoi Çani.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/studioehapur/videos/946388095495371/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb