Ali Soue-t, futbollistit të Skënderbeut, i ka mjaftuar vetëm një ndeshje në “Superligë” për të deklaruar se në kampionatin shqiptar vështirë se ndokush do t’a ndalë ekipin e tij. Italo-gambiani ende nuk e ka gjetur golin pavarësisht se deri më tani ka luajtur 3 ndeshje me korçarët, por në konferencën e djeshme për shtyp para mediave ka premtuar se të parin do e shënojë në Ukrainë kundër Dinamo Kiev. Sfida e parë e Skënderbeut në fazën e grupeve të “Europa League”.

Skënderbeu fitoi në start, si ju duk Souesë “premiera” e kampionatit?

Ishte ndeshja e parë zyrtare për mua në Korçë në këtë ligë dhe u ndjeva realisht shumë i lumtur. Tani që ka përfunduar ky 90-minutësh, e them me bindje se ky Skënderbe është për titullin kampion dhe nuk e di se cila skuadër shqiptare do të jetë ajo që do të na ndalë. U kënaqa pa fund që fituam dhe luajtëm mirë. Debutim më të mirë se ky nuk mund të ëndërroja. Por, ky është vetëm fillimi dhe premtoj deri në fund ndeshje sa më të mira me këtë fanellë. Në fund të fundit, për këtë motiv lashë Italinë dhe zgjodha Korçën.

Janë edhe 35 ndeshje për t’u luajtur deri në fund, mos po nxitoheni disi në deklaratën tuaj?

Jo, aspak. Skënderbeu ka vite të tëra që bën “ligjin” në futbollin shqiptar dhe këtë e tregojnë titujt e shumtë kampionë. Ne jemi skuadra e vetme që luajmë në Europë, madje edhe në grupe. Edhe ky është një tregues i madh, që dëshmon se ne jemi më të mirët në Shqipëri. Për këtë jam i sigurt, megjithatë të tjerat do t’i shikojmë rrugës.

Fituat penallti dhe dhatë asist në golin e Muzakës, por vetë nuk shënuat dot…

Nuk ka rëndësi kush shënon, pasi shumë shpejt do të vijnë edhe golat e mi. E rëndësishme është që skuadra po ecën vërtet mirë. Edhe që Lilaj gjuajti 11-metërshin, kjo nuk më shqetësoi aspak, sepse ekipi ka edhe staf teknik dhe ata i dinë më mirë gjërat, pasi na shikojnë nga pankina. Mund ta kisha gjuajtur edhe unë, por na duhej ky trepikësh dhe ja ku e morëm. Edhe në golin e dytë, unë e çova topin në zonë për të mbyllur ndeshjen me golin e dytë dhe ja ku jemi tani me një fitore në start, e cila flet qartë se kush është Skënderbeu.

Flamurtari ishte kundërshtari i parë që patë në Superiore, keni ndonjë koment për ta?

Unë mund të flas vetëm për 90-minutëshin që pashë në fushën e lojës. Për mua është një skuadër me elementë të mirë, por që nuk mund ta përballonte dot Skënderbeun. Ne jemi mbi të tjerët.

Sabjen Lilaj ju ka vlerësuar pas ndeshjes, madje ju cilësuar edhe si kafshë…

(Qesh) E falënderoj Lilajn dhe i them që unë jam te Skënderbeu për t’u bërë “njësh” me grupin për të realizuar objektivat që kemi, duke filluar fituar titullin kampion dhe për të shkuar pse jo sa më larg në Europë. Për mua të gjithë futbollistët e Skënderbeut janë lojtarë me shumë cilësi dhe jo vetëm Ali Soue. Më vjen mirë që në kaq pak kohë sa kam, merrem vesh shkëlqyer me pjesën tjetër. Ata më kuptojnë shumë mirë dhe unë po ashtu. Gjithsesi ky është vetëm fillimi.

21463080_1462934267077623_491152445165606319_n-470x313
Tri ndeshje për ju me këtë fanellë, dy për Europa League dhe një për kampionat. Kur do të vijë goli i Ali Soue?

Mos u shqetësoni, sepse edhe goli im i parë do të vijë. Unë besoj shumë që do të shënoj sa më shumë gola në të tre kompeticionet. Në ndeshjen ndaj Flamurtarit është e vërtetë që më mungoi goli, por u kënaqa me këtë nivel që pashë në fushë dhe ndoshta vetëm fati nuk ishte me mua. Ju premtoj që golin e parë e shënoj në Kiev dhe nëse do ta bëj realitet atje, do të jetë një gol që do të vlejë dyfish.

Ka ardhur edhe Nespor te Skënderbeu për sulmin. E ndieni konkurrencën?

Për mua nuk ka asnjë problem dhe përkundrazi më pëlqen shumë loja me dy sulmues, sepse kur jemi dy lojtarë në vijën e parë tërheqim edhe më shumë përpara në portën kundërshtare. Zgjedhjet në fushë janë të trajnerit, ndërsa neve na mbetet vetëm që të bëjmë detyrën. Jo vetëm Nespor, por të gjithë janë lojtarë shumë cilësorë.

Po afron ndeshja me Dinamon e Kievit, sa shanse ka Skënderbeu që të bëjë surprizën në këtë transfertë?

Menjëherë pas ndeshjes me Flamurtarin ne kemi filluar të mendojmë vetëm për takimin e radhës në Kiev për grupet e Europa League. Është një kompeticion shumë i rëndësishëm dhe mos mendoni se ne u futëm në grupet dhe do të ndalemi me kaq. Prisni të tjera surpriza nga ky Skënderbe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb