TIRANË- Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka kërkuar hartimin e një dokumenti strategjik apo një plani pune për të ndjekur nga partia. Gazetarja Elda Menga raportoi për “BalkanWeb” se në mbledhjen e kryesisë së PD-së, ku po bëhet analiza e humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit por edhe gjithë zhvillimeve brenda partisë, Tabaku kërkoi nga kolegët e saj t’i japin fund sharjeve të drejtuesve dhe ish-drejtuesve dhe të fillojë puna për ringritjen e PD-së.

“Nuk është aspak mirë që kolegë në kryesi shajnë drejtues aktualë dhe të lidershipit të kaluar. Për sa i përket analizës, duhen dërguar njerëz me eksperiencë dhe jo arrogante. Të fillojmë të punojmë, të dalim në terren. Unë kam punuar me të gjithë departamentet dhe e di sa kapacitete e potencial kemi dhe duhet ta shfrytëzojmë.

Dhe e dyta duhet të kthehemi tek diskutimet ideologjike dhe programore të PD. Të hartojmë një dokument strategjik për një plan pune që duhet të ndjekim dhe të jemi prezentë me njerëzit.

Më vjen mirë që kryesia u mblodh dhe ta përdorim si forum për diskutime se nuk më vjen mirë që dëgjoj e lexoj sulme ndaj anëtarëve aktualë dhe të kaluar të lidershipit. Çdo gjë perceptohet nga anëtarët e kjo frymë sigurisht nuk ndihmon askënd”, tha Tabaku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: