Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se ka qenë një takim jo i lehtë, ka qenë një takim i vështirë por me tone pozitive për të shikuar nga e ardhmja për interesin e dy vendeve.

Siç ka thënë presidenti Thaçi, gjatë takimit është rënë dakord që procesi të merr një dinamikë dhe të intensifikohet në javët e ardhshme.

“Gjithashtu kemi arritur në konkludimin se arritja e marrëveshjes përfundimtare është në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon. Pra arritjen e një marrëveshje fituese për të dy palët dhe kjo zgjidhje është marrëveshja e standardeve dhe kritereve evropiane, edhe për Kosovën edhe për Serbinë, një relacion evropian edhe për Kosovën dhe për Serbinë”.

Ai ka shtuar se është diskutuar rreth asaj se si të arrihet një kornizë të përgjithshme të kësaj marrëveshje e cila do të jetë e pranueshme edhe për popullin e Kosovës dhe të Serbisë dhe njerëzit do të shikojnë nga e ardhmja evropiane dhe jo nga e kaluara konfliktuoze.

“Mbes me shpresë që do të punojmë në mënyrë progresive në arritjen e marrëveshjes, por edhe nëse nuk arrihet një marrëveshja përfundimtare, ne duhet të punojmë në respekt të ndërsjellë, në paqe dhe stabilitet, të mos e provokojmë njeri-tjetrin dhe të shikojmë drejt interesit të përbashkët”.

“Jemi shumë të vetëdijshëm se konflikti është një shekullore dhe nuk është e lehtë të shkohet drejt zgjidhjes përfundimtare, por edhe e kaluara e jonë historike dhe aktuale por edhe gjeografike na imponon fqinjësinë e mirë ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve”.

“Unë shpresoj që edhe sot që është momentumi dhe lidershipi i duhur për arritjen e kësaj marrëveshje, përndryshe nëse e humbim këtë momentum do të paguajmë çmim të dy vendet, dhe çmim shumë të lartë”.

“Nuk jam naiv që të mendoj se do të kemi zgjidhje magjike dhe problematikave të së kaluarës dhe të gjejmë zgjidhje të menjëhershme për të ardhmen. E di se me marrëveshje do të mund të fitojmë shumë të dy palët, por edhe jam i frikësuar se nëse nuk do të ketë marrëveshje do të humbim shumë”, ka thënë ndër tjerash presidenti Thaçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: