E përditshmja britanike “The Guardian” bën të ditur se Tony Blair, ish kryeministri Britanik që luajti një rol vendimtar për bombardimin e Serbisë në vitin 1999, do të jetë këshillëtar i Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë kohës së luftës ka mbajtur pozicionin e ministrit të informacionit të Sllobodan Millosheviqit. Në atë kohë Vuçiç ishte një kritik i ashpër i politikanit britanik.

Por pas një dekade e gjysëm Blair dhe Vuçiç janë bashkë në të njëjtën anë pas kontratës së konkretizuar nga zyra e Blair me qeverinë serbe. Një bashkëpunim që pritet të ngjall acarim tek populli serb që e lidh figurën me rolin e fushatës së bombardimeve mbi Beograd. Burimet e The Guardian konfirmojnë se Blair dhe ekipi i tij kanë bërë vizita të rregullta muajt e fundit në Serbi. Mes tyre edhe Alaistar Cambell i cili ka qenë atje ne Janar.

Krahu opozitar në Serbi e përshkruan kontratën me Blair si diçka të paimagjinueshme dhe bizarre. “ Si mund të thoni gjëra aq të tmerrshme për dikë dhe pastaj ta prezantoni atë si një faktor kyç në bërjen e një qeverisje më efikase?” pyeti Borko Stefanoviç, lideri i partisë më të madhe opozitare ne parlament. Në vitin 2005 vetë Vuçiç ishte redaktor i librit “Gay Fart Tony Blair” ( një libër që e quan Blair Homoseksual) nga Vojislav Sheshel, politikan dhe i dyshuar për krime lufte. Por që nga ajo kohë Vuçiç ka bërë përpjekje për ta distancuar veten nga e shkuara duke u ndarë me Radikalët e Nikoliç, tashmë President i Serbisë, dhe duke formuar në 2008 Partinë Progresive e cila njihet si proeuropiane në vetvete.

Analistë të Ballkanit e komentojnë këtë lëvizje të shkaktuar nga problemet e brendshme të politikës në Serbi e cila ka nevojë për një ekip si ai i cili mund t’i këshillojë siç duhet për një afrim të mundshëm me BE-në.

(d.b/BalkanWeb)

Etiketa: