Trajneri i Kukësit, austriaku Pacult, në intervistën para ndeshjes së nesërme kundër Flamurtarit është shprehur se nga tani e deri në fund çdo sfidë është si një finale. Më tej Pacult ka shtuar se presioni është në anën e vlonjatëve.

“Deri në fund do të kemi edhe shumë finale të tjera dhe nuk është vetëm kjo ndeshje me Flamurtarin. Luajmë me një rival direkt dhe duhet të ruajmë diferencën. Duke parë edhe tabelën dhe duke ditur se Flamurtari ishte i dyti e tani është 8 pikë pas nesh, them që presioni është në anën e tyre, pasi ata do të kërkojnë rezultat. Ne do të tentojmë të mbajmë diferencën ose ta thellojmë. Flamurtari është një ekip cilësor që ka pasur rikthime nga dëmtimet. Në ekipin tonë nuk kemi shumë lojtarë si ekipet tjera dhe në vazhdim do të shohim cilat skuadra janë favorizuar nga pauza e ndeshjeve ndërkombëtare.”

Dënimi i Skënderbeut nga UEFA ka bërë që gara për vendin e dytë, që do të garantojë edhe një biletë në Champions, të bëhet edhe më e ashpër. Edhe pse e mendon këtë arritje, Pacult shprehet se është ende shpejt për të bërë planet e pjesëmarrjes në arenën ndërkombëtare.

“Është marrë një vendim, por priten edhe të tjerë. Më e mira për ne është të mbajmë vendin e dytë, pavarësisht asaj që ndodh. Duhet të mbajmë këto pozita dhe të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje. Asgjë nuk mund të cilësohet e përfunduar dhe, pavarësisht se është mirë ta mendojmë vendin e dytë dhe Championsin, është herët për të folur. Siç e thotë edhe shprehja, ‘peshku në det dhe tigani në zjarr’.”

Me formën e jashtëzakonshme të shfaqur nga Sindrit Guri, ku nuk ka munguar interesimi nga klubet jashtë Shqipërisë, drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, sqaroi situatën rreth zërave se sulmuesi i talentuar mund të shitet përpara mbylljes së sezonit, ashtu si Elis Bakaj më parë.

“Guri nuk ka asnjë mundësi të largohet në këtë pikë të kampionatit.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: