Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka biseduar me telefon me presidentin e Tajvanit, duke ndërprerë një praktikë diplomatike amerikane prej katër dekadash dhe duke rrezikuar një çarje të madhe në lidhjet me Kinën.

Komunikata e ekipit të Trumpit e publikuar më 2 dhjetor thotë se liderja tajvaneze, Tsai In-Wen, ia ka uruar fitoren Trumpit.

Të dy liderët kanë nënvizuar “lidhjet e afërta ekonomike, politike dhe ato të sigurisë që ekzistojnë ndërmjet Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara”, thotë më tej komunikata.

Trump më pas ka shkruar në Twitter ku thotë se liderja tajvaneze e ka telefonuar atë.

“Presidentja e Tajvanit më telefonoi sot për të më uruar fitoren. Faleminderit!”, ka shkruar ai.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, të njëjtën ditë ka thënë se telefonata ka qenë “vetëm një trik i vogël nga Tajvani” dhe ka shtuar se ai nuk beson që kjo sinjalizon ndryshim në politikën amerikane.

“Politika e një Kine është guri themeltar i zhvillimeve të shëndetshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe ne shpresojmë që kjo bazë politike nuk do të dëmtohet apo ndikohet në të”, ka thënë Wang.

Zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë kanë reaguar shpejt pas lajmit për bisedën telefonike, duke shprehur shqetësim për lidhjet ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit.

Ky është kontakti i parë i drejtpërdrejtë ndërmjet liderëve amerikan dhe tajvanez prejse janë prerë marrëdhëniet diplomatike në vitin 1979, ndërsa Uashingtoni ka vendosur lidhje diplomatike me Kinën.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë shkëputur në tërësi lidhjet me Tajvanin, dhe janë munduar të balancojnë lidhjet me Kinën.

Biseda telefonike e presidentit të zgjedhur, Trump është veprimi i fundit që e shkel këtë protokoll diplomatik, diçka që po shqetëson Departamentin e Shtetit dhe vëzhgues të shumtë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: