Presidenti amerikan, Donald Trump akuzoi dje FBI se nuk kishte penguar sulmin që shkaktoi 17 të vdekur në një shkollë të Floridas duke theksuar se policia federale amerikane po shpenzonte më shumë kohë me hetimin rus.

“Shumë e turpshme që FBI nuk i ka kushtuar rëndësi të gjitha sinjaleve të dërguara nga autori i sulmit në shkollën e Floridas. Kjo është e papranueshme”, theksoi presidenti amerikan.

“Ata po shpenzojnë më shumë kohë për të provuar përfshirjen ruse në fushatën Trump. Nuk ka bashkëpunim. Kthehuni në bazë dhe na bëni të ndjehemi krenarë për ju!”, shtoi ai, ndërkohë që nuk është më FBI që drejton hetimin rus që prej muajit maj.

FBI ndodhet nën zjarrin e kritikave pasi ka pranuar se kishte marrë më 5 janar, një telefonatë nga një i afërt i Nikolas Cruz, vrasësi 19-vjeçar që hapi zjarr të mërkurën në një shkollë në qytetin e Parklandit duke shkaktuar 17 të vdekur.

Hetimi mbi ndërhyrjen ruse në fushatën presidenciale të Donald Trump në 2016 nuk është drejtuar më nga FBI, por nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, emëruar pas shkarkimit të drejtorit të FBI, James Comey nga presidenti amerikan në maj 2017.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: