ANKARA– Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu shprehu sot shqetësimin rreth sulmeve të dhunshme të forcave ajrore ruse dhe forcat besnike të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad që kanë mbyllur korridorin Alepo-Turqi duke ndaluar shpërndarjen e ndihmave humanitare për civilët e prekur nga lufta.

“Forcat e regjimit sirian dhe Rusia janë duke u përpjekur që të vënë nën rrethimin Alepon dhe ne po përballemi me një dramë të re humanitare nga miliona njerëz në dhe përreth Alepos. Të gjitha këto janë tregues se si Rusia dhe aleatët e tjerë të regjimit janë të pasinqertë dhe larg nga ideja e paqes. Në terren, situata po ndryshon në çdo moment. Konsultimet turko-gjermane të cilat i bëjmë rregullisht janë të një rëndësie të madhe në drejtim të forcimit të bashkëpunimit tonë, paralajmërim për komunitetin ndërkombëtar dhe marrje e përgjegjësisë sonë humanitare ndaj refugjatëve”, tha Davutoglu.

Duke theksuar se Turqia është duke bërë çmos për të ndihmuar popullin sirian, Davutoglu tha se askush nuk ka të drejtë të tolerojë sulmet ajrore ruse që mund quhen me të drejtë spastrim etnik dhe të presin që Turqia e vetme të merret me krizën e refugjatëve.

Davutoglu u takua sot me kancelaren gjermane Angela Merkel, në një vizitë zyrtare në Turqi, pas së cilës ata mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi për median.

Delegacionet e të dy vendeve sot kanë biseduar rreth ngjarjeve në Ballkan, Kaukaz, Azi dhe rajone të tjera, kurse Turqia kërkoi mbështetjen e Gjermanisë në procesin e hapjes së kapitujve të rinj në negociatat e pranimit në Bashkimin Evropian.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: