TIRANE-Familja boton një përmbledhje me krijimet e fundit. Vepra paraprihet nga një parathënie e Dritëro Agollit: Edhe po të ishte gjallë, do të shkruaja për të.
Pa asnjë pikë hidhërimi
Që kënaq veç hipokrizinë tuaj,
Ju njoftoj se unë kam vdekur.
E pikërisht në këtë çast,
Për herë të parë ndihem i gjallë,
Trup,
Real
Kjo është një prej poezive të Olldashit, e cila përqesh vdekjen, por dhe hipokrizinë e njerëzve në rast vdekjesh.

Si një sfinks që ngjallet prej hirit të tij edhe ai ngjallet prej poezisë. Tash pas një viti, ndarë nga jeta në mënyrë tragjike, Sokol Olldashi i është pranë gjithkujt që e ka dashur, përmes poezisë së tij. “unë dhe Unë”- Poezi 2013 (botues “Gent-grafik”).
Kështu titullohet vëllimi poetik që del në libraritë e kryeqytetit, me autor Sokol Olldashin. Është familja e tij që është kujdesur për botimin e kësaj vepre me dedikimin “Në kujtim të Kolit”. Miqtë, ata që e kanë njohur nga afër, ia njihnin penën, dashurinë për letërsinë, për muzikën, pikturën… Por tanimë, këtë dimension tjetër të Olldashit, shpirtin e ndjeshëm, mbetur disi në hije prej profilit të politikanit, ka mundësi ta zbulojë çdo lexues dhe i pasionuar pas poezisë.

PARATHENIA
Kjo përmbledhje poezish, dedikuar jetës, dashurisë, dhimbjes, vetmisë, ndarjes, vdekjes, hipokrizisë, kotësisë, paraprihet nga një parathënie e shkrimtarit Dritëro Agolli, i cili lexon në poezinë e Olldashit shpresën e lindjes së letërsisë së një brezi të ri, shkruan e perditshmja, ‘Panorama’. Ai vlerëson shpirtin rebel të poetit, muzikalitetin e vargut edhe pse në shumicën e herëve ai është aritmik e ametrik. Një poezi që e ka shijuar deri në fund me gjithë 83 vjetët e jetës së tij, që ia kanë zbehur shikimin por asesi shijen. Kishte qenë e bija, Elona, që ia kishte çuar poezitë. Për të nuk pati asnjë rëndësi se autori kishte qenë politikan, i djathtë madje. “Poezitë m’i solli ime bijë, Elona. Më kërkoi t’i lexoja. Më pëlqyen”, pohon Agolli.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb