Afro 24 orë pas publikimit të lajmit se Gjykata Kushtetuese me një vendim unanim, ka vendosur të shfuqizojë vendimin me burgim të përjetshëm ndaj Aldo Bares, të cilit i lind e drejta të kërkojë lirinë, vetë institucioni e ka parë të nevojshme të bëjë një sqarim.

Në një njoftim për mediat sot, Gjykata Kushtetuese sqaron vendimin e saj të marrë një muaj më parë.

“Gjatë ditës së djeshme dhe sot, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se në disa media të shkruara dhe elektronike është publikuar lajmi se Gjykata Kushtetuese ka anuluar vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm të të dënuarit Aldo Bare. Në këtë situate, Gjykata Kushtetuese vlerëson të informojë mediat dhe publikun si më poshtë vijon:

Gjykata Kushtetuese, në datën 08.02.2017 ka vendosur: ‘Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit   nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë’.

Aktualisht, çështja ndodhet në fazën procedurale të shpalljes të vendimit, konform parashikimeve të ligjit procedural dhe në përputhje me afatin ligjor, dhe menjëherë pas shpalljes vendimi do të jetë në dispozicion të palëve në proces dhe publikut”, deklaron GJK.

Por ndërkohë që Gjykata Kushtetuese thotë se është e hapur me median, ky vendim për të cilin flet është marrë një muaj më parë, më 8 shkurt por nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar apo reagim.

Në anën tjetër për rastin e ish-kreut të Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi, Gjykata Kushtetuese doli me një njoftim zyrtar vetëm 3 orë pas përfundimit të seancës.

“Për sa më sipër, sqarojmë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka dërguar çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Vendimi i saj nuk ka cenuar vendimmarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krimet e Rënda, nga ku rezulton se kërkuesi është dënuar me burgim të përjetshëm.

Duke marrë shkas nga sa më lart, u kërkojmë mediave që përpara se të publikojnë lajme që lidhen me institucionin e Gjykatës Kushtetuese të konsultohen me strukturën përgjegjëse të këtij institucioni – Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe Jashtë – e cila është gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me qëllimin e vetëm të informimit të saktë të opinionit publik dhe shmangien e keqkuptimeve të rastit”, thotë në deklaratën e saj zyrtare Gjykata Kushtetuese.

Ky reagim i Kushtetueses vjen vetëm pas publikimit të lajmit se dosja “Bare” është kthyer për rigjykim në Gjykatën e Lartë me arsyetimin e shkeljeve të rënda procedurale.

Vendimi i arsyetuar i Gjykatës ende nuk është publikuar në faqen zyrtare, ndaj nuk janë të qarta argumentet ku janë bazuar anëtarët e saj për t’i dhënë një tjetër shans kapobandës së Lushnjës.

Aldo Bare, është dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje të kryera në Lushnje nga viti 1997 e në vazhdim.

Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së vëllait të tij Ramadan Shkurti, Aldo Bare, ish-oficer i forcave speciale, vendosi të hakmerrej dhe krijoi një bandë kriminale, që kreu krime nga më makabret.

Për disa vite me radhë, ai qëndroi në arrati dhe emri Aldo Bares renditej në listën e të shumëkërkuarve.

Në 2006, ai u arrestua në Turqi për t’u ekstraduar më pas drejt Shqipërisë tri vite me vonë. Pas një beteje të gjatë gjyqësore, Aldo Bare, që më herët quhej Alfred Shkurti, u dënua përjetësisht.

Së fundmi ai i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve të dhëna ndaj tij, e cila urdhëron tashmë Gjykatën e Lartë ta shqyrtojë këtë çështje.

Aktualisht Bare vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

AKUZAT PËR ALDO BAREN
Vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” në bashkëpunim, kundër shtetasit Genci Kashari e Artur Daja.

“Vrasje me paramendim” në dëm të shtetasit Xhevat Demiri.
“vrasje me paramendim” në dem të shtetasit Nimet Zeneli.
“Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Gramoz Selmani.
“Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Masar Aliu.
“Vrasje me paramendim” në dëm të shtetasit Masar Aliu.
“Prodhim dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”.
“Shkatërrim i pronës me zjarr”.
“Krijim të organizatës kriminale”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: