Liverpuli hedh një tjetër hap të gabuar që mund t’i kushtojë shtrenjtë në garën për titull në Premier Ligë. Të kuqtë u mposhtën 3-2 në shtëpi nga Suonsi në ndeshjen hapëse të javës së 21-të.

Pas një pjese të parë pa gola, sfida në “Anfield Road” u ndez në të dytën. Fernando Jorentes i mjaftuan vetëm pesë minuta për t’i çuar miqtë në epërsi të dyfishtë me dopietën personale të realizuar në të 48-n dhe 53-n.

Përgjigjja e vendasve nuk vonoi dhe në minutat 55’ dhe 69’ dygolëshi i Roberto Firminjos riktheu baraspeshën.

Megjithatë drama e vendasve u shkrua në të 74-n, kur Sigurdson shënoi golin me vlerën e tri pikëve për Suonsin.

Disfata e parë pas një viti në kampionat e lë ekipin e Jurgen Klopit me 45 pikë, përkohësisht në pozitën e tretë dhe me shumë gjasa për të zbritur më poshtë pas takimeve të rivalëve.

Ndërkaq, “kura” e trajnerit të ri Pol Klement duket se po funksionon për Suonsin, pasi me këtë fitore skuadra nga Uellsi i largohet hë për hë zonës së ftohtë të renditjes./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: