BERAT- Debati dhe replikat mes PS dhe LSI në Berat vijojnë lidhur me bashkëqeverisjen vendore në këtë bashki të drejtuar nga LSI, dhe mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, të bojkotuar nga këshilltarët e PS.

Kreu i Bashkisë, Petrit Sinaj, bën përgjegjës për konfliktin e lindur mes dy partive të koalicionit, të deleguarin e Partisë Socialiste në Berat, ish/ministrin Blendi Klosi. Për Sinajn, nuk ka pasur asnjë incident në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Në reagimin e kryebashkiakut të Beratit nuk munguar as ironia ndaj ish-ministrit Klosi.

Duke iu përgjigjur një postimi në “Fb” të deputetes së LSI Silva Caka, Klosi ka deklaruar se LSI ushtron presion ndaj socialistëve, për t’u konvertuar politikisht.

“Të çuditurit janë socialistët që hiqen nga puna. Socialistët që vihen nën presion për t’u konvertuar në anëtarë të partisë suaj, sepse përndryshe hiqen nga puna. Socialistët që duhet të shpallin besnikërinë ndaj LSI në “Facebook” se po nuk e bënë hiqen nga puna. Kështu që e dashur kolege, mos u çudit hiç që PS e Beratit mbron publikisht dinjitetin e njerëzve të saj, pasi nuk ka arritur dot ta sigurojë këtë mbrojtje në takime e biseda pafund me kryetarin e Bashkisë. Mjaft me këtë lojë se nuk ka asnjë kuptim që duke qenë forca e parë e koalicionit edhe në Berat, dhe pasi kanë mbështetur fuqimisht Petrit Sinajn për t’u bërë kryetar, socialistët të trajtohen si qytetarë të dorës se dyte. T’u shkelet e drejta për punë dhe dinjiteti i tyre njerëzor”, tha Klosi.

Në përfundim Klosi ka ftuar deputeten e LSI në Berat të ulën e të diskutojnë për këtë çështje.

“Nëse dëshiron e nderuar kolege, të ulemi dhe diskutojmë me fakte në tavolinë dhe të dëgjojmë dëshmitë rrëqethëse të keqtrajtimit të socialistëve këtu në Berat, unë jam gati”, tha ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: