NGA: Ina Allkanjari
Vrasja nuk justifikohet. Ne e kemi kokën të ulur për atë që ka ndodhur. Por, vëllai im vrau nënën e fëmijëve të tij, pasi doli nga vetja për shkak të saj. Fadili bëri gjithçka për Fildeze Hafizin. Ai mundësoi që ajo të bëhej drejtoreshë kopshti, investoi për arsimimin e saj, për gjithë të afërmit e saj. Dhe pasi arriti gjithçka prej tim vëllai, ajo e divorcoi, ia vuri fëmijët kundër dhe filloi të tallej me të”. Kështu deklaroi dje Eduart Kasemi, vëllai i 53-vjeçarit, i cili pak ditë më parë ekzekutoi bashkëshorten e tij gjyqtare në qendër të Tiranës. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Eduart Kasemi tregoi me detaje se si vëllai i tij i madh është njohur me Fildezen dhe se si marrëdhënia e tyre përfundoi në tragjedi. Sipas Eduardit, shkaku kryesor i kësaj tragjedie kanë qenë dy fëmijët, për të cilët Fadili kishte dobësi. “Unë nuk mund ta parandaloja këtë tragjedi, sepse sado ta ruaja, ai mund të çohej natën dhe ta bënte krimin”, tha vëllai i vrasësit të gjyqtares.

Zoti Eduart, vëllai juaj akuzohet për vrasjen e ish-gruas së tij. Cili është reagimi juaj?
Aq shumë sa ka bërë për mua ai vëlla, saqë të më kishte vrarë mua, ia kisha bërë hallall. Për çfarë ndodhi ishte brenda familjes, unë nuk mund të ndërhyja aq shumë në familjen e tyre. Ne e kemi kokën të ulur për atë që ka ndodhur. Vrasja nuk ka justifikim, por ata i kthyen fëmijët kundër. Vëllai im, sidomos për gocën bënte çdo gjë. E kishte debulesë, siç bëjnë baballarët për gocat. E thërras çunin tim tani këtu në qoftë se ju dëshironi. Ai është në klasë të tretë dhe pyeteni vetë se si sillej Fadili me fëmijët e tij dhe dëgjojeni se çfarë do të thotë. A u ka bërtitur ndonjëherë ai fëmijëve dhe a i ka rrahur ndonjëherë ata? Ai i përkëdhelte gjithë kohës. Nga fundi ikte djali im të takonte nipin dhe mbesën se i donte shumë dhe ata nuk i vinin.

Mendoni se krimin e ka kryer në gjendje të rëndë psikologjike?
Atë nuk e mbante vendi. Ai bëri çdo gjë për familjen e tij dhe ndiente se fëmijët po i largoheshin dhe për këtë gjë fajësonte ish-bashkëshorten. Ai i donte fëmijët e tij dhe distancimi i tyre sipas tij i ndikuar, po e vriste. Kohët e fundit ishte shumë në tension, nuk ishte në vete. Ai ishte njeri me emër dhe humbi çdo gjë, shkoi në zero.

Nipërit e tu thanë për mediat se ata ndiheshin të terrorizuar pranë të atit. Si e shikoni ju reagimin e tyre?
Ata janë fëmijë. Janë të lënduar. Humbën të dy prindërit në të njëjtën kohë. Nuk ishte mirë kështu, si për të ndjerën, ashtu edhe për tim vëlla. Por shiko çfarë bëjnë. Kërkuan ndihmë nga shteti, shtëpi, ndërkohë ai i ka ndihmuar gjithmonë. Çdo gjë që ka, ua ka lënë në testament fëmijëve. Deri dje ata fëmijë me babën ishin duke u puthur dhe sot tregojnë që iknin të mërzitur nga ai. Kush i bën këto gjëra? A janë ata që flasin kështu, apo janë të ndikuar?

A mendoni ju se mund të parandalohej ky krim?
Unë nuk mund ta parandaloja këtë tragjedi, sepse sado ta ruaja, ai mund të çohej natën dhe ta bënte krimin. Nuk ma mori mendja që mund të arrinte në këtë pikë. Sado që u përpoqa, nuk mund të ndërhyja në jetën e tyre, pasi secili ka shtëpinë e vet, nuk më lejonte.
Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/09/05/ekzekutimi-i-gjyqtares-vellai-i-fadil-kasemit-se-ndaloja-dot-ngjarjen-ia-kthyen-femijet-kunder/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb