Kapo-ultrasi i Boca Juniors është qëlluar për vdekje ditën e sotme. Gustavo Pereyra, 49 vjeç, i njohur me nofkën “Ariu” është qëlluar me tetë plumba në shtëpinë e tij, në periferi të Buenos Aires, ndërkohë që nëna e tij gjendej në dhomën tjetër të banesës. Ai njihej si një ndër eksponentët më të dhunshëm të tifozëve të Boca Juniors.

Sipas nënës së Pereyra-s, dy personat që hynë në shtëpi nisën debatin me djalin e saj dhe më pas u dëgjuan të shtënat. Siç raporton “Sky”, agresorët u larguan, duke lënë të shtrirë në pellgun e gjakut, kapo-ultrasin e skuadrës së njohur argjentinase.

“Ariu” ishte ende gjallë edhe pas mbërritjes së ambulancës, por ndërroi jetë pak minuta pasi shkoi në spital. Pereyra kishte punuar më parë si “bodyguard” i boksierit argjentinas Rodrigo Barrios dhe kohët e fundit ishte i punësuar si roje sigurie në një kompani private.

Kapo-ultrasit të Boca Juniors i ishte ndaluar hyrja në stadiumin mitik “Bombonera” për episode të dhunshme të shkaktuara prej tij, vepra për të cilat kishte kryer edhe dënim me burg në Argjentinë.

Shkaqet e vrasjes së tij ende nuk dihen, por mediat në Argjentinë raportojnë se mund të jetë bërë shkak, çështja e trafikut të drogës./Vipsport.al
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb