TIRANE– PS nuk ka pranuar sugjerimet e PD dhe LSI për të mos shkurtuar numrin e punonjësve për komisionet e vettingut. Socialistët kanë votuar pas 17 orësh seancë maratonë, në orën 2:00 pas mesnate, me 74 vota pro për të shkurtuar me 70 punonjës stafin e komisioneve të vettingut.

Deputetja e PS, relatorja për organet e rivlerësimit të vettingut në komisionin e ligjeve, Klotilda Ferhati, ka folur me në detaje për këtë vendim, në studion e emisionit “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News24”.

Sakaq, deputetja socialiste ka treguar edhe nivelin e pagave të këtyre punonjësve të organeve të vettingut.

Qeveria ka vendosur të çojë më pak para në xhepat e anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe të Komisionerit Publik, sa do të jenë konkretisht këto paga dhe sa do t’i kushtojnë ato buxhetit të shtetit?
Dua të saktësoj se ky nuk ka qenë një vendim i Qeverisë, por i Parlamentit, i cili në thelb të tij ka patur miratimin e strukturës, organikës, numrin total të punonjësve, dhe pagat bazë të secilit punonjës të organikave të tyre. Kuvendi, me ligj është i ngarkuar që të marrë në shqyrtim dhe të vendosë mbi propozimet që paraqesin të gjitha organet e vettingut mbi strukturat e tyre organizative. Në këtë shqyrtim që Kuvendi bën, merr në konsideratë parashikohet ana ligjore dhe ato kushtetuese, dhe në bazë të këtyre vendos sesi do të përbëhet kjo organikë. Pra nuk është një vendim i mirëfilltë buxheti, por një vendim që ka të bëjë më organizimin e strukturave të vettingut. Ne kemi patur një kërkesë, prej 168 punonjësish në total nga organet e vettingut. Këto institucione të vettingut përbehen nga dy bërthama; një bërthamë të shërbimeve juridike, dhe një bërthamë të shërbimeve administrative. Ajo që ka funksionet përmbajtjesore, përveç komisionerëve dhe gjyqtarëve në të tre organet e vettingut, është kjo e këshilltarëve ligjorë dhe ekonomikë.

Në strukturën e miratuar nga Kuvendi, nuk është prekur kjo strukturë, nuk janë cënuar këto funksione përmbajtjesorë. Është riorganizuar pjesa e shërbimeve mbështetëse, administrative, ku janë hequr nga këto struktura një numër shoferësh. Ato po u jepen si shërbime Gardës së Republikës, pasi këtyre anëtarëve të organeve të vettingut u garantohet edhe siguria. Rreth 22 shoferë kanë ikur nga këto struktura, dhe do të jepen tek Garda. Pra janë zhvendosur. Pjesa tjetër e stafit të shkurtuar, pasi ne miratuam 113 punonjës në total nga 185 që u kërkuan, pjesa tjetër ka të bëjë me rikonceptim të funksioneve mbështetëse, që kanë të bëjnë me shërbime, finance, sekretarie, protokoll, të cilat janë rikonceptuar si shërbime. Pra mos të kemi struktura të fryra, por të jenë të parashikuara në mënyrën më efikase. Sa i takon pagës, do thoja se nivelet e pagave të komisioneve të organit të kualifikimit, të komisionarit publik, tek Kolegji i Posaçëm që është hallka e tretë sa i takon rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë të tilla që jepen shprehimisht në ligj. Të gjithë personave magjistratë prokurorë që kalojën vettingun, u njihen disa paga që llogariten sipas një metodologjie të parashikuar në ligj. Nëse e kalojnë këtë proces, niveli i pagës bazë për ta ka të bëjë me nivelin e pagës bazë që parashikohet për statusin e gjyqtarëve nga data 1 janar 2019.

Për komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe për komisioneret publikë është rreth 3 mln e ca lekë, pasi ata marrin pagën e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ndërsa për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është diçka më shumë, mbi 3.2 mln lekë të vjetra, sepse kjo pagë llogaritet duke iu referuar pagës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi patur për detyrë të caktojmë pagat bazë refereuese sipas atyre që parashikon ligji. Mbi këto paga anëtarët e vettingut kanë të drejtë të llogarisin edhe shtesën e vështirësisë në punë. Si dhe 80 % të këtyre pagave marrin këshilltarët e tyre. Për stafin administrativ kemi referuar sipas akteve normative në fuqi, për statusin e nëpunësve, pra për pagat që jepen sot në administratën publike. Nuk di të them një shifër të saktë sesa i kushton kjo buxhetit të shtetit, pasi duhet bërë llogaritja nga momenti që kanë filluar detyrën. Anëtarët e këtyre organeve janë zgjedhur që në qershor të vitit 2017, dhe me marrjen e këtij vendimi do fillojnë menjëherë nga puna për të bërë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të nisur atë që quhet procesi i vettingut.

A nuk mund të kursente qeveria në një tjetër organikë, sesa të prekte organet e drejtësisë?
Ky vendim që është marrë dje për strukturat organizative është një vendim tërësisht profesional. Nuk është një vendim që duhet të jetë zemërgjerë apo populist pasi edhe ne si deputetë duhet të jeni të përgjegjshëm ndaj qytetarëve. Me rëndësi është që të zbatohet ligji. Nuk është problemi të shkurtojmë apo jo një njësi, e rëndësishme është që organet e vettingut krijohen për herë të parë në Shqipëri, pra s’ka një sitëm ku mund të bëhet një analizë. Referencë bëhet me Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Edhe anëtarët e organeve të vettingut kur paraqitën sugjerimet e tyre, e shprehën faktin që e kishin këtë situatë, duke mos pasur një sistem real referimi. Diskutuam me ta pikë për pikë se çfarë ne mendonim, dhe folëm se përse nuk mund të kishte struktura të fryra. Themi që kemi arritur në një vendimmarrje të drejtë, që një strukturë e cila sot po fillon nga puna të ketë një ecuri të mirë. Në të ardhmen në varësi të nevojave do të ketë ndërhyrje.

Nëse puna do të cedojë, ju thoni që do të rishihet, ose do kërkohet pjesë stafi më tepër, po a ka përgjegjësi në lidhje me këtë?
Përgjegjësi për punën do të mbajnë vetëm anëtarët e organeve të vettingut. Ata janë pajisur tashmë me bërthamën e shërbimit juridik, secili ka këshilltarë ligjorë. Ligji e parashikon që nuk mund të ketë një këshilltar për një anëtar, pasi mund të bëhet shkak për abuzime, pasi ndodh të krijohet një lidhje shumë e ngushtë mes tyre. Ndaj jo më kot është vënë termi njësi shërbimi ligjor, për trupat që i shërbejnë anëtarëve të vetitngut. Pra sa anëtarë vetingu ka, aq është edhe numri i këshilltarëve ligjore. Ka një reduktim të vogël në numrin e këshilltarëve ekonomikë, sepse këshilltarëve juridikë kanë në detyrat e tyre të analizojnë tre kriteret e vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve: atë të pastërtisë së figurës, aftësive profesionale dhe ligjshmërisë së pasurisë. Ndërsa këshilltarët ekonomikë, janë në formën e ekspertëve të qe verifikojnë vetëm ligjshmërinë e pasurisë, pra bëjnë llogaritë ekonomike. Pra ngarkesa është te këshilltarët juridikë. Mendoj se nuk ka ndonjë justifikim nesër për të mbajtur përgjegjësi në lidhje me mosvajtjen e rregullt të këtij procesi. Unë besoj se është një proces që mund dhe duhet të shkojë në rregull. Ai që do të ketë sot barrën më të madhe është hallka e parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ky komision ka stafin më të madh nga gjithë numri i miratuar, ka 50 punonjës. Duhet thjesht të jenë të përgjegjshëm dhe ta organizojnë mirë punën.

Rama dje ka paralajmëruar një letërkëmbim me ONM për organikën e këtyre institucioneve. Në rast se vëzhguesit ndërkombëtarë e rrëzojnë atë, çfarë ndodh me strukturën?
Kryeministri është treguar mëse mbështetës dhe i qartë ndaj pretendimeve që ngrinin dje të gjithë deputetët e opozitës që ishin kundër organizimit të strukturës. Kemi komunikuar edhe me operacionin ndërkombëtar, kemi marrë prej tyre edhe natyrën sesi do të organizohen vetë ata. Është një operacion ndërkombëtar që do të organizohet për monitorimin e këtyre tre organeve të vettingut. Për të mos e kthyer këtë në lojë shifrash, kjo është vetëm çështje profesionale dhe përgjegjshmërie. Kjo çështje u bë objekt i një kakofonie politike.

Flasim pak për atë që u quajt vota kundër e Saimir Tahirit. Mendimi juaj për këtë?
Tahiri nuk ishte kundër, ka votuar pro në njërin nga projekt-aktet, në dy të tjerët nuk mori pjesë në votim. Ai kishte një argument tjetër që duke besuar se të gjitha analizat juridike dhe profesionale ishin të drejta, dhe mundësitë buxhetore që i ofroheshin organeve të vettingut ishin ato që ishin kërkonte që të rishihej mundësia që nëse ajo që kërkohej nga përfaqësuesit e organeve të vettingut ishte në përputhje me ligjin të mund të shihnim një fleksibilitet në miratimin e asaj strukture që ishte propozuar. Por sigurisht mbizotërojnë argumentet juridikë dhe profesionalë, në lidhje me këtë çështje.

Në lidhje me deklaratat e kryetares së LSI-së se drejtësia është e kapur. A po kapet drejtësia dhe ç’mendim keni për këtë, pasi ajo ka njoftuar edhe ndërkombëtarët?
Është e drejta e saj. Është e drejta e gjithkujt të kryejë çdo veprim që e shikon të nevojshëm për një kauzë. Mua ky argumenti i kapjes së drejtësisë, më duket argumenti me qesharak për strukturën e vettingut. Të kapësh drejtësinë do të thotë të plotësohen disa elementë që e bëjnë një organ të varur nga një institucion apo organ tjetër. Do të thotë t’i emërosh personat vetë, t’i kesh atyre në dorë punën, t’i kontrollosh e monitorosh apo të jesh personi ndaj të cilit japin llogari. Asnjë nga këto elementë nuk janë pjesë e procesit, dhe asnjë nga këto çështje që folëm nuk janë pjesë e vendimit që u mor dje në Kuvend, i cili ishte vetëm një vendim për organizim strukture. Kuvendi nuk është noter publik, por ka për detyre për të parë nesër këto organo-grama janë në përputhje me ligjin. Ne duhet të punojmë të gjithë që t’i kthejmë qytetarëve besimin tek drejtësia, pasi gjithë këtë reformë e paguajnë me paratë e tyre. Populli me votë e ka treguar besimin tek kjo qeveri për angazhimin e saj për realizimin e kësaj reforme.

Kur pritet të nisin nga puna organet e vettingut?
Vendimi i Kuvendit duhet të hyjë në fuqi, dhe menjëherë organet e vettingut duhet të fillojnë nga puna me rekrutimin e stafit sipas asaj organike që është miratuar, dhe duhet të marrin edhe dosjet e para nga të gjitha organet e shtetit që i ndihmojnë ata në punën e tyre, siç është Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive, apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Të gjithë organet duhet të koordinojnë sa më parë, në mënyrë që ky proces të fillojë sa më parë. Tashmë është në dorë të tyre, nuk ka justifikime, populli po pret të shohë rezultate. Ne jemi këtu për të dhënë të gjithë mbështetjen tonë. Dhe duam që kauza të tilla të mos kthehen në politike, nëse ka nevojë për transparencë nuk do lodhemi kurrë së shpjeguari sesa i rëndësishëm është për ne ky proces, dhe sa e rëndësishme është që organet e vettingut të veprojnë të pavarura dhe të mos kenë asnjë lidhje me politikën, por thjesht të zbatojnë ligjin dhe ta kryejnë ashtu siç ligji e parashikon, vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb