Zgjedhjet lokale vlerësohen nga partitë politike në Maqedoni si të drejta e demokratike. Partitë shqiptare shprehen të kënaqura me rezultatet, LSDM feston fitoren në shumë komuna, ndërsa opozita e VMRO-DPMNE konteston.

Ende nuk ka rezultate zyrtare pas zgjedhjeve lokale të 15 tetorit në Maqedoni, por partitë politike garuese kanë bërë të ditura rezultatet e përpunuara nga shtabet e tyre partiake.

BDI shpall fitoren në bllokun politik shqiptar
Shefi i shtabit të BDI-së, Fatmir Besimi përmes një konference shtypi për mediat deklaroi se BDI në këto zgjedhje ka fituar 100 mijë vota në nivel vendi. Ai madje theksoi, se Kërçova dhe Pllasnica janë fituar çysh në rrethin e parë. Besimi përmendi edhe komunat, ku BDI shkon në balotazh me partitë e tjera më 29 tetor. “Kjo dëshmon se BDI ishte, është dhe do të mbetet partia më e madhe shqiptare në Maqedoni. Partia e parë dhe fituese e shqiptarëve të Maqedonisë. Fitorja ju takon juve, me fitoren e BDI-së fitojnë gjithë qytetarët”, ka deklaruar shefi i shtabit të BDI-së, Fatmir Besimi.

Aleanca për shqiptarët e kënaqur nga rezultati
Ndërsa kreu i shtabit zgjedhor të Aleancës për Shqiptarët Elmi Aziri theksoi se Aleanca për Shqiptarët ka shënuar fitore bindëse në disa komuna, por edhe rritje të madhe të votave në shumë komuna. “Në të gjitha qytetet është treguar rezultat solid dhe kemi arritur që në shumë vende të rrisim rezultatin 100 për qind, por ka edhe komuna ku ka rritje më të madhe. Aleanca për Shqiptarët në rrethin e dytë do të garojë në Strugë, ku do të ketë përballë kandidatin e LSDM”, theksoi Aziri. Ai theksoi se edhe në Gostivar do të shkohet në rrethin e dytë duke pasur përballë BDI-në.

BESA e sheh veten fituese në kampin politik shqiptar
Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami tha se fituese e këtyre zgjedhjeve në kampin politik shqiptar është Lëvizja BESA. “Duke pasur parasysh se BDI ishte në koalicion me LSDM, kjo i bie që BESA është partia e parë shqiptarë në Maqedoni. Nga votat e numëruara deri tani ne kemi rritje të dyfishtë dhe kjo na bën partinë e parë shqiptare. BESA shkon në shumicën e komunave në balotazh dhe na bën pretendente serioze për të marrë këto komuna”, ka thënë Kasami.

Sociademokratët e kryeministrit Zaev shënuan fitore në 40 komuna Koalicioni “Jetë në Maqedoni” i udhëhequr nga LSDM ka shpallur fitore në së paku 40 komuna. Shefi i Shtabit zgjedhor të LSDM-së, Mile Zeçeviq, tha se me këtë fitore, LDSM dhe koalicioni “Jetë për Maqedoninë” do të rrumbullakësojnë ndryshimet në vend. “Kjo ditë është një festë për demokracinë dhe një shembull i shprehjes paqësore dhe të lirë të çdo zëri të qytetarëve. Kështu duhet Maqedonia kur votohet lirisht dhe në mënyrë demokratike, pa presione”, tha Zeçeviq.

Kandidati për kryetar nga LSDM-ja për Qytetin e Shkupit Petre Shilegov ka thënë se nga sot Shkupi dhe komunat e tjera i kthehen qytetarëve. “Qytetarët e Shkupit dhe të Maqedonisë na treguan se i ka ardhur fundi qeverisjes së deritanishme të VMRO-DPMNE-së edhe pse mund të shpresojmë në fitore në raundin e parë në Shkup, megjithatë, rezultatet ende nuk janë të qarta deri në fund, por megjithatë kjo është një fitore e madhe për Shkupin”, është shpreh Shilegov.

VMRO-DPMNE pranon humbjen në shumë komuna
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikola Gruevski tha se policia u vu në funksion partiak, ndërsa u ankua për parregullsi. Ai zgjedhjet në përgjithësi i ka quajtur jo demokratike, ndërsa ka folur edhe për përzierjen e policisë në keqpërdorime. “Ka vazhduar fushata e zezë, dita zgjedhore ka kaluar me parregullsi të madhe, uzurpim të resurseve shtetërore, presione. Kjo ka ndikuar në fitoren e LSDM-së në shumë komuna, zgjedhjet nuk kanë përfunduar, ndërsa VMRO është parti e madhe”, ka thënë Gruevski.
“Si kryetar i partisë, kam përgjegjësinë më të lartë për rezultatet zgjedhore, e për tërë këtë punë, për shkaqet për rezultatet dhe drejtimin e ardhshëm do të diskutohet menjëherë pas zgjedhjeve”, është shprehur lideri i opozitës maqedonase Nikolla Gruevski.

Reformatorët e VMRO-DPMNE-së i bënë thirrje Nikola Gruevskit të japë dorëheqjen dhe të mundësojë një proces demokratik në parti që anëtarët lirshëm të zgjedhin liderin e tyre të ri. Sipas informatave të vëzhguesve nga “MOST” në disa vendvotime u konfirmua mosrespektim i procedurës së votimit dhe reagim nga ana e këshillave zgjedhorë ka thënë drejtori ekzekutiv i MOST-it, Darko Aleksov. “MOST ka konfirmuar më pak se 50 raste të parregullsive gjatë votimit dhe shtoi se vlerësimin e përgjithshëm për këto zgjedhje të gjashta lokale, Asociacioni qytetar do ta japë nesër”, shprehet Aleksov./dw/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb