SHËNGJIN-Dy vatra të reja zjarri që u shfaqen sot në mëngjes në malin e Shëngjinit dolën shpejt jashtë kontrollit, duke iu afruar ndjeshëm hoteleve në zonë. Pushuesit u larguan menjëherë për shkak të tymit që mbërriti deri në breg të detit. Era e fortë favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve dhe ndryshimin e vazhdueshëm të drejtimit të tyre.

Në pak orë flakët mbërriten pak metra larg resorteve. Zjarrfikëset e Bashkise, portit të Shëngjinit dhe forca të ushtrisë u vendosen përgjatë rrugës drejt “Ranës së Hedhun”, për të penguar flakët që të drejtoheshin drejt resorteve.

Administratori i një resorti tek “Rana e Hedhun”, Ismet Ponari në një lidhje telefonike për ‘News24’, e cilësoi situatën kritike.

Pasi situata doli thuajse krejtësisht jashtë kontrollit rreth orës 14: 30 minuta, në zonë mbërritën helikopterët. Për të ndihmuar në shuarjen e flakëve, në ndihmë janë kërkuar helikopterë nga Italia, të cilët kanë dyfishin e kapacitetit të helikopterëve shqiptarë. Këtë e konfirmoi prefekti i Lezhës, Eduart Ndreca.

Rreth 100 ushtarë, dhjetëra forca policie dhe zjarrfikës të shumtë tashmë janë në zonë që prej mbrëmjes së djeshme.

PREFEKTI EDUARD NDRECA: SITUATA PO VIHET NËN KONTROLL

Prefekti i Lezhës Eduard Ndreca njoftoi se rreth orëve të pasdites është punuar intensivisht për shuarjen e flakëve në malin e Shëngjinit, duke bërë që situata të nënë kontroll. Sipas Ndrecas, forca të ushtrisë dhe 2 helikopterë bënë të mundur lokalizimin e flakëve.

“Situata po vihet nën kontroll. gjatë gjithë kohës era ishte në disfavorin tonë. Kërkuam largim të përkohshëm të pushuesve. Janë djegur sipërfaqe të mëdha pyjore dhe kullota.”- deklaroi Ndreca.

ARRESTOHET 63-VJEÇARI QË I VURI ZJARRIN MALIT TË SHËNGJINIT
Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 63-vjeçar, i cili dyshohet se është autori i vënies së zjarrit në malin e Shëngjinit.

Sipas policisë, Pergjoni ka patur si qëllim ripërtëritjen e kullotave, me qëllim që të kulloste bagëtitë që mban në një stan në Malin e Shëngjinit.

Pikërisht në afërsi të stanit të Pergjonit është evidentuar edhe vatra e zjarrit, që më pas ka marrë përmasa të mëdha, i favorizuar nga era.

Tashmë 63-vjeçari do të përballet me drejtësinë për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Njoftimi i polciise: “Më date 25.08.2016, u bë arrestimi në  flagrancë i  shtetasit Preng Pergjoni, 63  vjeç  banues në Lezhë pasi dyshohet se është  autori i vënies së zjarrit në malin e Shëngjinit.

Arsyeja e djegies është  për shkak të ripërtëritjes së kullotave me qëllim kullotjen e bagëtive që kanë në stanin e tyre në Malin e Shëngjinit,i  cili ndodhet  në fillim ku ka qenë vatra e zjarrit.  Materialet u referuan Prokurorisë së Rrethit Lezhë për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” parashikuar nga neni 206/a/1 të Kodit Penal.”

 

ADMINISTRATORI I NJË HOTELI: ZJARRI PO AFROHET, PUSHUESIT KANË IKUR TË GJITHË
Administratori i një hoteli tek ‘Rana e Hedhun’ në Shëngjin Ismet Ponari, deklaroi në një komunikim telefonik në “News24” se zjarri po u afrohet hoteleve, ndërsa pushuesit janë larguar të gjithë.

Sipas Ponarit, e vetmja gjë që mund të bëhet për momentin është lokalizimi i flakëve, që të mos digjen ndërtesat në zonë, pasi ndërhyrja në mal është shumë e vështirë.

Ndërkohë në mal vijojnë të dëgjohen shpërthime të forta. Sipas Ponarit, bëhet fjalë për predha të vjetra që ndodheshin në zonë.

ZJARRI NE SHENGJIN
Një pjesë e banorëve të lagjes së portit në Shëngjin janë evakuuar rreth orës 3:00 të natës për shkak të flakëve të zjarrit. Evakuimi i banorëve është bërë pasi zjarri u është afruar shumë pranë zonave të banuara duke rrezikuar jetën e tyre. Një pjesë e banorëve që janë evakuuar janë strehuar tek të afërmit e tyre për arsye sigurie.

Forcat zjarrfikëse dhe banorë të zonës luftuan me flakët për të mos lejuar djegien e banesave, pasi një pjesë e sipërfaqes pyjore vijon të digjet. Në ndihmë të zjarrfikësve janë nisur dhe forcat e ushtrisë nga batalioni i Vaut të Dejës. Zjarri në malin e Shëngjinit ka nisur që prej pasdites së djeshme, ndërsa flakët janë ndihmuar nga era. Mësohet se si pasojë e zjarrit është bërë dhe shkëputja e energjisë elektrike. Ndërkohë, kreu i Zjarrfikëses, Agustin Pepkolaj theksoi se tashmë rreziku ka kaluar, pasi flakët janë lokalizuar. Ai shtoi se era e fortë favorizoi për përhapjen e flakëve.

Në vendngjarje ndodheshin forca të shumta të policisë, prefekti i zonës si dhe kryetari i bashkisë. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit nëse është i qëllimshëm apo jo, ndërsa për momentin nuk ka raportime për persona të lënduar.
(d.d/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb