MAQEDONI- Lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, i bëri thirrje partisë shqiptare BDI të braktisë qeverinë e Nikola Gruevskit, për ta rrëzuar këtë të fundit nga pushteti. Zaev tha se, funksionarët e partisë së Ali Ahmetit janë të përfshirë në aferat kriminale të qeverisë, prandaj – sipas tij, – BDI-ja e ka të vështirë të vendosë për t’u larguar nga qeveria, shkruan RTK.

“BDI është pjesë e pushtetit dhe ata janë bashkëpunëtorë të VMRO-DPMNE-së. Nuk mund të amnistohen, përveçse nëse nuk do të ishin drejtpërdrejt të përfshirë në ndonjë aferë kriminale konkrete, prej 25 milionë eurosh. Ata kanë qëndruar pranë VMRO-së, kur kanë ndodhur të tilla raste, ndaj dhe janë bashkëfajtorë. Ftoj BDI-në të braktisë qeverinë. Nuk është e thënë me patjetër që të presin Gruevskin për të ndërmarrë hapin e parë. Nëse nuk janë bashkëpunëtorë në krim, këtë mund ta dëshmojnë me braktisjen e qeverisë”, ka thënë Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Ndërkohë, lideri opozitar ka ndryshuar qëndrimin e javës së kaluar, teksa kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë në takimin e 10 qershorit në Bruksel.

Të hënën, ai bëri të ditur se do të marrë pjesë në atë takim, sepse është i interesuar që kriza në Maqedoni të tejkalohet përmes dialogut. Megjithatë, Zaev tha se zgjidhja nuk mund të arrihet pa largimin e Gruevskit nga qeveria.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: