Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij të mbajtur në tubimin qytetar, ka uruar shqiptarët për festën e shenjtë të Bajramit. Berisha theksoi se, kjo ditë që përkon me 100 ditë qendresë, na rikujton se Zoti është me ne.

Berisha, duke mbajtur fjalën në ditën e 100 të tubimit qytetar tha se secili nga ne duhet të kuptojë rëndësinë e betejën që po luftojmë.

Në fjalën e tij, Berisha tha se, arrestimi i tij ishte bërë me qëllim që të ndëshkohej anti-korrupsioni i tij. Berisha, tha gjithashtu në fjalën e tij, në ditën e 100 të tubimit qytetar se rruga për fitoren e PD tashmë është e shtruar. Ish-kreu i qeverisë tha se një periudhë e artë për vendin tani po afron, periudhë e lirisë pa diktaturë.

Po ashtu Berisha në fjalën e tij tha se, këto 100 ditë shprese nuk janë fundi i qendresës, por janë vetëm një kapitull i radhës në të tjerë, që do të vijojnë gjer në fitore të padiskutueshme të PD.

FJALA E PLOTË

Të dashur qendrestare dhe qendrestarë, misionarë të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Sot është një ditë e shenjtë. Sot është dita e madhnueshme e Fitër Bajramit!

Së bashku le të urojmë nga zemra çdo besimtar mysliman shqiptar, të urojmë që sakrificat e tyre, të urojmë që durimin e tyre, të urojmë që përkushtimin e tyre, Zoti i madh e mëshirëplotë t’ua kthejë në mirësi dhe begati.

Gëzuar dhe urime!

Të dashur miq!

Zoti i madhërueshëm është një, është unik në çdo gjë dhe në mënyrën se si ai vepron. Kështu ndodhi që në këtë ditë të shenjtë, të përkonte edhe një ngjarje e rëndësishme për ne, demokratët.

Sot mbushen 100 ditë nga qëndresa jonë epike në Rrugën e Shpresës. Një falënderim të përzemërt, mirënjohje të pakufijshme shkon për të gjithë ju, luftëtarë të pamposhtur, që për 100 ditë qendruat të palëkundur. 100 ditë në të ftohtë, në shi, breshër, stuhi, ju qëndruat, nuk kapitulluat.

Misionarë të vërtetë, fitimtarë!

Kjo ditë që përkon me festën e shenjtë të Bajramit, na rikujton se Zoti është me ne, se Zoti është gjithmonë krah së mirës. Por njëkohësisht kjo na rikujton për përgjegjësinë tonë të madhe, që të përmbushin këtë mision hyjnor për të shpëtuar Shqipërinë nga e keqja, për të shpëtuar Shqipërinë nga armiqtë e saj, që kërkojnë të shuajnë kombin tonë me vjedhje, me krime dhe me shpopullim.

Të dashur miq!

Secili nga ne duhet të kuptojë rëndësinë e betejën që po luftojmë. Historia e Shqipërisë është një histori drite dhe errësire.

Në jetën e saj të gjatë Shqipëria ka vuajtur copëtime dhe diktatura. Këto janë errësira që kanë nxirë një pjesë të historisë sonë. Por gjithashtu historia e Shqipërisë është e ndriçuar nga qendresat, revoltat, betejat heroike të shqiptarëve, që kanë sjellë dritë në historinë e kombit tonë. Janë këto beteja për liri dhe dinjitet dhe qendresa epike që kanë kthyer fatin e Shqipërisë më shumë se një herë. Që kanë shpëtuar atdheun tonë dhe që u kanë dhuruar pasardhësve shqiptarë lirinë dhe dinjitetin që meritojnë.

Në këtë kontekst, këto 100 ditë qendrese, do gdhenden, do përjetësohen në muret e historisë.

Miqtë e mi!

Këto 100 ditë qëndrese radhiten së bashku me qëndresat e mëdha të kombit shqiptar për liri dhe dinjitet. Sepse asgjë nuk e paraqet më qartë luftën e të mirës kundër të keqes se sa kjo betejë që zhvillojmë ne sot.

Këto 100 ditë nisën me ditën më të zezë për demokracinë shqiptare. Nisën me ditën që regjimi monist i arrestoi PD-së liderin e saj pa asnjë provë, pa asnjë fakt, madje pa asnjë akuzë, pa asnjë dokument kundër tij. Dhe kjo për faktin e vetëm sepse ato kurrë nuk mund të gjenden sepse nuk ekzistojnë.

Sepse qëllimi i këtij arrestimi ishte t’i mbyllej goja Sali Berishës, denoncimeve të tij kundër korrupsionit qeveritar dhe ndërkombëtar, që shqiptarët të mos mësonin lidhjet e tmerrshme të krimit me Edi Ramën, por edhe të familjarëve të ngushtë të tij.

Që shqiptarët të mos mësonin për vjedhjet monstruoze të Edi Ramës dhe Erion Velisë, ministrave, zyrtarëve të lartë me inceneratorët, sterilizimin, checkupin, analizat, prokurimet, rrugët, shkollat dhe së fundmi me vjedhjet 100 % të fondeve të bashkisë.

Që shqiptarët të mos mësonin të vërtetën mbi drejtësinë e re, mburojë e shëmtuar e vjedhjes së votave të shqiptarëve, e vjedhjes së buxhetit, e vjedhjes së pasurive publike të shqiptarëve nga Edi Rama dhe rraca e suita e tij.

Po, po. Qëllimi i këtij arrestimi ishte ndëshkimi hakmarrës i Sali Berishës nga korrupsioni shqiptar dhe ndërkombëtar për anti-korrupsionin e tij. Sot, ai dhe ju së bashku ndjehemi më krenarë se kurrë për betejën që i bëri këtij armikut të egër të shqiptarëve dhe jo vetëm.

Por të dashur miq, ajo ngjitëse që tentuan të vendosin në gojën e Sali Berishës për ta heshtur, për ta mbyllur atë, sot është ngjitur në murin e kësaj rruge dhe shkruan me gërma të mëdha: Rruga e Shpresës.

Dhe kjo rrugë shprese është sot parlamenti i vërtetë i shqiptarëve.

Ndaj dhe unë kam një mirënjohje të pakufijshme për të gjithë oratoret dhe oratorët e këtij parlamenti, militantët të PD, por edhe qytetarë të paparti. Drejtuesë të kësaj patie, deputetë, por edhe qytetarë dhe anëtarë të thjeshtë të saj, të rinj, të reja, burra, gra, pensionistë, artistë, mësues, mjekë, inxhinierë, shkencëtarë, shkrimtarë, fermerë, punëtorë që me guximin, fjalën e tyre dhe të vërtetat që mbrojtën, u bënë zëri i guximit, i dinjitetit, zëri i të vërtetave të mëdha për çdo vajzë, nënë, grua shqiptare. U bënë zëri ccdo të riu, të reje, burri, gruaje, të moshuari, pensionisteje, pensionisti shqiptar. Uë bënë zëri i ccdo atdhetari, ccdo intelektuali, ccdo profesionisti, avokati, mjeku, infermieri, biznesmeni, infermieri, punëtori, emigranti, të papuni, të sëmuri, të shëndoshë, e ccdo shqiptareje e shqiptari.

Kurrë ndonjëherë më parë, shqiptaret dhe shqiptarët e të gjitha mosheve, profesioneve, krahinave nuk janë përfaqësuar më me dinjitet se sa keni pqrfaësuar ju në Rrugën e Shpresës.

Zoti ju bekoftë!

Të dashur miq!

Këto ishin 100 ditë shprese. Deputetët demokratë iu bënë mbështetësve të tyre dhuratën më të madhe. Sot PD është një parti e bashkuar nën vullnetin e shumicës së saj. Këto 100 ditë shprese, ringjallën shpresën te shqiptarët.

Ditën e parë që kam folur nga kjo dritare, u kam thënë se e ndjej erën e ndryshimit që po fryn.

Dhe të gjithë e pamë se kjo erë ndryshimi që filloi nga këto me disa qindra vetë u shndërrua më 20 shkurt në një uragan të pandalshëm shprese me qindra e mijëra shqiptarë që dyndën sheshin në protestën më monumentale të 33 viteve demokraci.

Në këto 100 ditë shprese, ndërkohë që Edi Rama kërkon të shuajë qenien shqiptare, duke kalkuluar kushtet që shqiptarët të ikin, duke shkatërruar institucionet e kulturës tonë, duke shpërbërë traditat tona, ne mishëruam më së miri se çfarë do të thotë të jesh shqiptar, çfarë do të thotë të marrësh fatin në duart e tua si shqiptar.

Ne dëshmuam me qendresën tonë ndaj armiqve të njerëzimit, Soros, McGonigal, ne dëshmuam se kauza jonë është e drejtë dhe e pamposhtur siç ishte forca e shpatës së Gjergj Kastriotit, forca e mirësisë dhe mëshirës së Nënë Terezës. Ne dëshmuam veten shqiptarë të vërtetë.

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Prandaj miqtë e mi, kemi arritur shumë këto 100 ditë. Shqipëria nuk është më e njëjta me atë që ishte 100 ditë më parë. Rruga për fitoren e PD tashmë është e shtruar dhe një periudhë e artë e Shqipërisë tani po afron, periudhë e lirisë pa diktaturë.

Këto 100 ditë shprese nuk janë fundi i qëndresës tonë, janë vetëm një kapitull i radhës në të tjerë, që do të vijojnë gjer në fitoren tonë të padiskutueshme.

Ne do të fitojmë, sepse jemi bashkë gjithë demokratët, gjithë opozitarët, por ç’është e vërteta në këtë betejë nuk jemi vetëm demokratë e opozitarë në krahun tonë, sepse kjo nuk është një betejë vetëm politike, kjo është një luftë për Shqipërinë.

Një luftë të jesh apo të mos jesh më, një luftë për kombin dhe qenien e tij.

Është bërë një investim i egër nga Edi Rama për të ju mashtruar se jemi vetëm. Por të dashur miq, mbarë kombi është me ne, me qëndresën dhe fitoren tonë.

Kush janë ata pra që mund të na ndalojnë ne? Asnjë forcë pra miqtë e mi, jemi bashkë, jemi të pandalshëm, jemi të pamposhtur.

Do të fitojmë!

Të dashur miq!

Në jetën time ju më keni dhënë mundësi të paimagjinueshme, privilegje të jashtëzakonshme. Kam drejtuar dy herë vendin dhe kombin, bashkërealizum projektet më historike për Shqipërinë. Realizuam NATO-n, realizuam heqjen e vizave, luajtëm rolin tonë të pazëvendësueshëm në pavarësinë e Kosovës. Realizuam projekte të mëdha si Rruga e Kombit, gazsjellësit TAP.  Hodhëm themele mbi të cilët Shqipëria ende sot mbahet në këmbë në këto ditë të vështira.

Por të dashur miq, privilegji më i madh që kam patur, nderi më i madh që më keni bërë në jetë, është që të ju prij ju në këtë betejë që më caktuat.

Në kohën që kisha planifikuar tërheqjen time të plotë, madje dora dorës dhe daljen në pension, pas një karriere të gjatë, por edhe të përmbushur, më dhanë një goditje më të pamerituarën, vetëm e vetëm që ju të mos ishit opozitë.

U ktheva! Menduan se më plagosën për vdekje. Gabuan!

Falë jush u ngrita në këmbë, pata nderin të drejtoj betejën më të rëndësishëm të jetës sime, betejë për opozitën shqiptare, betejë për lirinë e kombit.

Pa opozitë nuk ka liri. Pa opozitë sovrane nuk ka liri.

Betejë për çlirimin e Shqipërisë nga diktatura e dytë, e bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, vjedhjen tuaj dhe drogën e Edi Ramës. Dhe unë iu përgjigja thirrjes pra, siç do ti përgjigjej çdo shqiptar, çdo patriot, çdo njeri i ndershëm, çdo njeri me dinjitet.

Iu përgjigja klithmës therëse të demokracisë shqiptare në agoni.

Iu përgjigja klithmës në shkretëtirë të dheut tim në agoni.

Iu përgjigja atdheut që po vidhej gjer në palcë.

Iu përgjigja atdheut që po i shkatërrohej kultura.

Iu përgjigja atdheut që i kanë larguar 35% të popullit.

Iu përgjigja kombit që kërkojnë ta transfigurojnë, ta denatyrojnë.

Iu përgjigja shoqërisë dhe familjes shqiptare që kërkojnë t’i shpërbëjnë, t’i degradojnë, t’i degjenerojnë.

Iu përgjigja dinjitetit shqiptar.

Ndaj dhe unë sot në mirënjohen time më të thellë do t’ju jap një premtim, ashtu siç ju premtova që nëse dy do të mbeteni, do të jem njëri prej jush dhe e mbajta premtimin.

Ashtu siç ju premtova se edhe në hënë po të më çojnë, unë do të gjej mënyrën për të bërë opozitë për ju dhe e mbajta atë premtim. Ashtu do të ju jap sot fjalën e nderit, se nuk do të ndalem, se nuk do të lodhem, se nuk do të humb asnjë ditë motivimin, deri në fitoren tonë të plotë.

Fitorja jonë, fitorja e opozitës, fitorja e PD-së është premtimi im për ju, për shqiptarët, për kombin.

Për ju që sakrifikuat kaq shumë këto ditë, që duruat kaq shumë këto vite, që nuk u përkulët asnjë moment para hajnave dhe kriminelëve të Shqipërisë, fitore, fitore, fitore.

Do të fitojmë!

Miqtë e mi!

Do të fitojmë para hajdutëve më bastardë që ka parë Shqipëria, atyre hajdutëve që nuk vjedhin më për tu pasurua, se të pasur janë bërë sa për 10 breza, por që vjedhin qytetarët për t’i poshtëruar, për t’i përulur.

Do të fitojmë para atyre që u mashtrojnë në çdo fjalë që thonë.

Do të fitojmë para atyre që dëbuan të dashurit tuaj dhe lenë këtë vend me 1 milionë e gjysmë banorë.

Do të fitojmë se jemi shpresa e fundit e shqiptarëve.

Shqiptarët nuk kanë më qeveri, por një lukuni që i vjedh ata gjer në palcë.

Shqiptarët nuk kanë më pluralizëm.

Shqiptarët nuk kanë më drejtësi që t’i mbrojë.

Beteja që kemi përpara është e vështirë, nuk mohohet, por kurrë mos u ligështoni.

Ata luftojnë për të vjedhur para, ne luftojnë për pluralizmin. Ata luftojnë për të vjedhur edhe më shumë para, ne luftojmë për dinjitetin e shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre. Ata luftojnë për vjedhur sa më shumë para, në luftojmë për të ndaluar shpopullimin. Ata luftojnë të pangopur për para të vjedhura, ne luftojmë që pasuritë e shqiptarëve ti kthejmë në bekim për qytetarët shqiptarë.

Prandaj do të fitojmë, sepse jemi në krahun e drejtë të historisë.

Prandaj dhe Zoti është me ne, sepse Zoti e ka bekuar Shqipërinë, dhe do të bekojë të gjithë ata që luftojnë për Shqipërinë.

Prandaj o sot o kurrë, betejë pa kthim, deri në rrëzimin e Erion Veliajt, kësaj monstre të vjedhjes që guxoi të poshtërojë shqiptarët.

Të vendosë në bashkinë e Tiranës modelin e vjedhjes 100% të parave të qytetarëvve. Nesër është dita, nesër është ora, nesër është fitorja. Betejë pa kthim deri në rikthimin e bashkisë së Tiranës, qytetarëve dhe më pas radhën e ke ti Edi Rama.

Edi Rama nuk do të gjesh vrimë miu ku të futesh, por jep dorëheqjen. Do të shkojmë me qeveri teknike, të krijojmë qeveri teknike, zgjedhje të lira.

Fitore, fitore, fitore!

Rroftë Partia Demokratike, rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Nesër dita e qytetarëve të Tiranës, dita e guximtarëve të Tiranës, dita e zemërimit të qytetit, dita e triumfit, virtyteve të tij.

Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: