Në ditën e 106-të të protestës para Kryeministrisë, aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi në studion e News24 se aksioni popullor nuk do të ndalet pa largimin e kryeministrit Edi Rama dhe hapjen e rrugës për një qeveri teknike.
“Unë uroj personalisht që kjo protestë të mbarojë nesër, Rama të japë dorëheqjen dhe ne të kthehemi në hallet dhe problematikat tona në shtëpitë tona, por si duket do ta bëjë të vështirë. Besoj se do t’ia dalim patjetër,” u shpreh Xhemalaj që në start të intervistës.
Përgjatë bisedës, aktivisti ndali veçanërisht te roli kyç që po luan diaspora shqiptare nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe visa të tjera të Evropës, e cila ka marrë frenat e protestës për pesë ditë me radhë duke përshkallëzuar reagimin në mosbindje civile.
“Diaspora është epiqendra e protestës, është ajo që e frymëzon dhe i jep krah kësaj proteste. Çështja është magneti që ata janë për popullsinë që ndodhet në Shqipëri. Kur ata vijnë, edhe qytetari i Tiranës, i Fierit apo i Elbasanit thotë: ‘Po vijnë nga diaspora, po bëjnë gjithë atë rrugë e po protestojnë, pse mos të vete edhe unë?’,” theksoi ai.
Xhemalaj ngriti me shqetësim fenomenin e largimit masiv të rinjve dhe zëvendësimin e fuqisë punëtore me punëtorë të huaj: “Çështja kryesore që ne po flasim është pikërisht shpopullimi që po i bëhet këtij vendi. Duket sikur është një shpopullim i qëllimshëm për largimin e popullsisë shqiptare dhe prurjen e popullsive të tjera. Ne jemi një komb shumë i vogël për të përballuar një prurje kaq të madhe emigracioni.”
Duke analizuar arsyet e qëndresës, aktivisti nënvizoi se kauza tejkalon ligjet individuale të kontestuara dhe kap kapjen e shtetit në tërësi.
“Kemi ligjin për zonat e mbrojtura, shitjen e tokave bujqësore ndaj të huajve, paketën e maleve dhe KAYO që është një vjedhje e hapur e taksave të shqiptarëve. Gjithsesi, të gjitha këto ligje kanë një emërues të përbashkët që është Edi Rama. Prandaj pa ikur Edi Rama nuk mund të zhbëhen dhe këto ligje. Duhet të largohet ai, të vijë një qeveri teknike dhe të bëhet reforma zgjedhore,” deklaroi Xhemalaj.
Në mbyllje, aktivisti i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë ndaj përgjegjësve të korrupsionit galopant në vend.
“Ne kemi një grup të rinjsh që protestojnë përditë përpara SPAK-ut duke kërkuar që të thellohen hetimet. Në fund të ditës, ai leku i korrupsionit është lek që është hequr nga spitalet, nga pensionet dhe nga ndihma sociale. Janë lekë që na janë vjedhur neve,” përfundoi Ilir Xhemalaj.
