Autoritetet kundër korrupsionit në Hungari kanë zbuluar rreth 18 milionë dollarë para të fshehura në vende të ndryshme, përfshirë pyje, ndërtesa dhe magazina, gjatë një hetimi për korrupsion. Sipas raportimeve, paratë dyshohet se kanë lidhje me Miklos Sesztak, ish-ministër në qeverinë e Viktor Orbanit. Një pjesë e shumave thuhet se ishte groposur në zona pyjore, ndërsa pjesa tjetër ishte fshehur në ambiente të ndryshme.

Operacioni u zhvillua më 12 dhe 13 nëntor, në Budapest dhe në disa qarqe të tjera të vendit. Gjatë kontrolleve u sekuestruan gjithsej 5.07 miliardë forinta, 2.65 milionë euro dhe 1.25 milionë dollarë, me një vlerë të përgjithshme që mediat ndërkombëtare e përllogarisin rreth 19.5 milionë dollarë. Hetimi lidhet me dyshimet për përfitime të paligjshme nga tenderët e kompanisë shtetërore të transportit Volánbusz dhe projekte ndërtimi. Sipas hetuesve, Seszták dhe drejtuesi i atëhershëm i kompanisë shtetërore të administrimit të aseteve dyshohet se kanë përfituar mbi 11 miliardë forinta nga pagesa të paligjshme gjatë periudhës 2015–2018. Ish-ministri është arrestuar në shtator dhe ndodhet në paraburgim. Megjithatë, ai i ka mohuar akuzat, ndërsa avokati i tij ka deklaruar se paratë e sekuestruara nuk i përkasin klientit të tij.


Paratë e sekuestruara janë depozituar në Thesarin e Shtetit hungarez. Për numërimin e tyre u angazhuan 12 punonjës, të cilëve iu deshën tetë orë dhe pesë makina për numërimin e kartëmonedhave.
Ngjarja është pjesë e fushatës së gjerë kundër korrupsionit të qeverisë së re të kryeministrit Péter Magyar, i cili erdhi në pushtet pas fitores ndaj Viktor Orbanit në zgjedhjet e prillit 2026. Nga ana tjetër, Orban i ka cilësuar hetimet ndaj ish-zyrtarëve të qeverisë së tij si të motivuara politikish

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb