Qytetarët pas fjalimeve te Kryeministria marshuan në rrugët e Tiranës.
“Arrestoni Ramën, lironi qytetarët” është një prej thirrjeve që ka jehuar në Tiranë gjatë marshimit të qytetarëve në protestën e 107-të në vend.
Ndërsa mbërritën në bllokun e Sigurisë, në rrugën Mine Peza, shprehën mbështetjen për protestuesit e ndaluar. Më pas vijuan marshimin drejt Prokurorisë së Tiranës.
Protestuesit shprehen të vendosur për të vijuar revoltën, duke e cilësuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si një kërkesë të panegociueshme.
Marshimi në kryeqytet ka vijuar nën thirrje dhe pankarta të ndryshme, ku ndër të tjera shkruhet: “Bashkohuni studentë, kombi na thërret”, “Shqipëria po bën revolucion” dhe “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria”.
Protestuesit kanë përsëritur mesazhet e tyre kundër qeverisë, ndërsa marshimi vijoi në rrugët e Tiranës.
