Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon të punësojë një operator për identifikimin elektronik për ditën e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit.

Në një njoftim në faqen zyrtare, KQZ publikon kushtet që duhet të plotësojë aplikanti, që do të bëhet pjesë e personelit teknik, që do të përdorë pajisjet për identifikimin elektronik të zgjedhësve në ditën e votimit.

Njoftimi i KQZ

Nëse je përdorues i përditshëm i teknologjisë bashkëkohore, si për shembull kompjuter, smartphone, tablet, etj., Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ofron mundësi të bëhesh pjesë e personelit teknik që do të përdorë pajisjet për identifikimin elektronik të zgjedhësve në ditën e votimit!

Apliko nëse plotëson kushtet si më poshtë:

gëzon të drejtën për të qenë zgjedhës;
nuk je dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen me dashje të një vepre penale;
ke të paktën arsim të mesëm;
nuk ke qenë anëtar i komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit në dy zgjedhjet e fundit;
nuk ke qenë anëtar i strukturave drejtuese të ndonjë partie politike, të paktën tre vitet e fundit;
nuk ke qenë i përfshirë publikisht në veprimtari dhe aktivitete politike dhe elektorale për llogari të një subjekti zgjedhor në 5 vitet e fundit;
të mos ndodhesh në kushtet e konfliktit të interesave;
të kesh njohuri dhe aftësi minimale të përdorimit të pajisjeve të teknologjisë së informacionit si kompjuter, smartphone, etj.;
duhet të jesh me vendbanim në territorin e qarkut ku ndodhet qendra e votimit ku do të caktohesh nga KQZ;
të jesh i/e gatshëm për të ofruar shërbimin edhe larg vendbanimit;
nuk ke marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt, ose marrëdhënie pune me ndonjërin nga kandidatët që konkurrojnë në zonën zgjedhore ku ndodhet qendra e votimit në të cilën operatori teknik është caktuar;
nuk je ushtarak, punonjës i strukturave të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Ministrisë së Brendshme, i Shërbimit Informativ Shtetëror, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave dhe shërbimeve të tjera me objekt veprimtarie të ngjashme me sa më sipër.
Detyrat e operatorit teknik

Operatori do të jetë përgjegjës për përdorimin e pajisjes së identifikimit elektronik (PEI), si dhe të kamerës monitoruese në qendrën e votimit. Ky pozicion pune përjashton çdo përfshirje në procedurat dhe veprimet e Komisionit të Qendrës së Votimit. Aplikantët do të përzgjidhen sipas Bashkisë ku kanë vendbanimin dhe do të trajnohen nga personel i kualifikuar i KQZ-së. Caktimi i operatorëve teknik në qendrën përkatëse të votimit bëhet nga KQZ.

Pagesa do të jetë 12.000 Lekë (neto) për një kohë pune prej orës 06.00 të datës 6 Mars 2022 deri në mbylljen e votimit po në këtë datë.

Afati i aplikimit: 22 Shkurt 2022

Koha dhe vendet janë të kufizuara!

Nxito të aplikosh duke zgjedhur bashkinë ku do të punosh dhe njësinë administrative përkatëse!

Plotëso të dhënat sipas rubrikave më poshtë:

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb