Deputeti i PD, Belind Këlliçi, ka reaguar pas lajmit për heqjen e imunitetit të 13 deputetëve të partisë në pushtet, të dyshuar për korrupsion.
Këlliçi shkruan se votimi i Athinës, nxorri dhe një herë në pah se sa mbrapa e la Edi Rama Shqipërinë me votën e tij me 12 mars pro korrupsionit dhe kundër drejtësisë.
“Leksionin grek Edi Rama pati mundësi ta marrë më shpejt se kushdo tjetër pasi ndodhet pikërisht atje, ku u prit dhe nga Kryeministri”, shkruan Këlliçi.
Sipas tij, ndryshe nga Rama, kryeministri grek nuk urdhëroi partinë e mbështetësit e tij që të ndalonin drejtësinë e të mbronin aferat në Kuvend. Përkundrazi!
“Ky lajm që vjen nga Athina hedh poshtë dhe tezën e përdorur nga Edi Rama sikur dhe në vendet e BE imuniteti nuk hiqet dhe madje nuk lejohet as hetimi pa vendosur kuvendi. Mashtrim i ulët për torollakët e rilindjes e askënd tjetër”, thuhet në mesazhin e Belind Këlliçit.
Greqia manifestoi një standard të cilin ne e shkelëm me këmbë, thjesht për interesin personal të një njeriu, për frikën e tij, për lëkurën e tij, për karriken e tij.
Haptazi duke penguar integrimin europian të vendit.
Ndërsa Mali i Zi po bëhet gati të ulet në tryezën e përbashkët ndërqeveritare me BE për të hedhur hapin final të anëtarësimit, për Shqipërinë janë bërë disa mbledhje dhe nuk është marrë një vendim, pasi Edi Rama zgjodhi Belindën dhe pushtetin e tij para Brukselit.
Qytetarët kanë një arsye më shumë sot të ndërgjegjësohen, të ngrihen e të mos pajtohen me këtë regjim të korruptuar që po mban peng vendin dhe të ardhmen tonë.
