Deputetja Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, lidhur me një udhëzim të ri që prek rreth 2 mijë mësues në vend.

Gjatë fjalës së saj, Zhupa kritikoi ashpër vendimin që u kërkon arsimtarëve me mbi 15 vite eksperiencë të rikthehen dhe të japin sërish provimin e licencës, në momentin kur ata synojnë të marrin titullin “mësues mjeshtër”.

Deputetja e opozitës theksoi se një vendim i tillë cenon sigurinë në punë të arsimtarëve dhe krijon pasiguri në sistemin arsimor.

“Interpelancë urgjence sepse bëhet fjalë për 2 mijë mësues.
Një ministre e përgjegjshme do të mendonte çfarë mund të zgjidhte nga problemet që kanë gjetur në atë dikaster. Por me një udhëzim kujtohen e thotë që pasi ke 15 vite që je mësues dhe ke dhënë kontribut në sistemin arsimor, kur duhet të marrësh kualifikimin si mësues mjeshtër, këta thonë bëhu edhe një herë student e jep provimin e licencës. Ka logjikë kjo?
Je student mbaron shkollën, bën licencën dhe për 3 vite ke të drejtë të kualifikohesh mësues i kualifikuar, pas 6 vitesh mësues specialisht e pas 15 vitesh mësues mjeshtër. Këta që janë për mësues mjeshtër janë rreth moshës 40-45 vjeçare. Ka prej tyre që janë edhe drejtorë e tani duhet të japin sërish provimin e licencës.
Po hiqni sigurinë e vendit të punës”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb