SPAK njoftoi sot zyrtarisht se ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme dosjen penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu në lidhje me tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, ku nga shpërthimi në punishten e demontimit të armëve gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se sipas aktakuzës së Prokurorisë së Posaçme ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për dy akuza; atë të shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarakë, kuadër komandues.

Sipas SPAK, i pandehuri Fatmir Mediu akuzohet se në lidhje me procesin e demontimit të armëve në fshatin Gërdec në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona të tjerë që kanë pasur cilësinë e ushtarakut, kanë nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin, akte të cilat sipas Prokurorisë së Posaçme kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për kompanitë SAC inc dhe Alba Demil shpk e Mihal Delijorgjit.

Fatmir Mediu është marrë dhe më herët i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme, por në vitin 2009 kur dosja e tij penale po gjykohej në Gjykatën e Lartë për shkak se ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ligji i kohës parashikonte se ndjekja penale apo gjykimi nuk mund të vazhdonte dhe vendosi ta pushonte çështjen.

Me krijimin e SPAK ishte Zamira Durda, nëna e një fëmije të mitur që gjeti vdekjen në Gërdec, e cila kërkoi rihetimin e çështjes dhe gjykimin e Mediut, pasi sipas saj për tragjedinë e Gërdecit nuk është bërë drejtësi. Prokuroria e Posaçme duke mos qenë kompetente në krye të herës për të hetuar këtë çështjes, përderisa kishte një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë iu drejtua Gjykatës dhe shkalla e parë e rrëzoi prokurorinë për rihapjen e kësaj dosje.

Ishte Apeli i Posaçëm i cili i hapi dritën jeshile hetimit të dosjes Gërdeci dhe tashmë Prokuroria e Posaçme e ka përfunduar hetimi nsa i përket ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe e dorëzoi në Gjykatë dosjen penale duke argumentuar se mburoja e imunitetit kishte rënë dhe nuk kishte asnjë pengesë që Mediu të gjykohet për dy vepra penale.

Pritet që kjo çështjes të kalojë filtrin e gjykatësit paraprak, i cili do të vendosë nëse janë kualifikuar si duhet akuzat dhe dosja të kalojë për gjykim, por ka dhe disa opsione të tjera. Ta rikthejë për rihetim këtë dosje në SPAK apo ta pushojë atë.

Nëse kjo dosje e kalon filtrin paraprak, atëherë Fatmir Mediu do të përballet me drejtësinë shqiptare për tragjedinë e rëndë pas një dekade e gjysmë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb