Në Baltëz të Fierit, është zhvilluar paraditen e sotme ceremonia përkujtimore me rastin e 2-vjetorit të rënies në krye të detyrës të efektivit të policisë, Novruz Çenalia. Në këtë ceremoni të mbushur me ndjenjë respekti dhe dhimbjeje morën pjesë, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erjon Ahmeti, kolegë dhe punonjës të Policisë së Shtetit si dhe të afërm e familjarë.

Në nderim të veprës dhe jetës së tij pjesëmarrësit vendosën kurora me lule pranë varrit të efektivit Çenalia, duke përkujtuar jo vetëm aktin e tij të sakrificës , por edhe vlerat njerëzore dhe profesionale që e karakterizonin.

Drejtori Ahmeti teksa u bëri të ditur familjarëve se në këtë 2- vjetor efektivit Çenalia i është akorduar statusi i “ Dëshmorit të Atdheut”, theksoi se sakrifica e tij do të qëndrojë përherë në piedestalin më të lartë të Policisë së Shtetit.

Çenalia u vra mesditën e 13 Majit 2024, gjatë ushtrimit të detyrës pasi ndaloi një automjet dhe i kërkoi drejtuesit të mos lëvizte ne shpejtësi në rrugë. Autori i krimit, Azgan Merrnica reagoi me armë zjarri duke e qëlluar për vdekje efektivin e policisë.

Ngjarja u konsiderua një sulm i rëndë ndaj uniformës së Shtetit dhe rendit publik ndërsa autori i vrasjes vuan dënimin me 35 vite burg në IEVP , Fier , dënim ky që solli reagime të forta të opinionit publik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb