Salla e rinovuar e Universitetit të Arteve, u mbush plot mbrëmjen e 3 shtatorit, kur çeli siparin Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar pas 14 vitesh mungesë. Në ulëset e vogla e të ngushta (pa hapësirën e duhur mes njëra-tjetrës) që janë tkurrur nga restaurimi dhe mpijnë edhe trupat e vegjël e të dobët u ul, ajka e filmit shqiptar.

Pas 14 vitesh, simbolikisht, këto ulëse të projektuara keq në një sallë të re të paguar shtrenjtë, e mbledhin filmin shqiptar të prodhuar në 14 vite, në një festë të filmit.
Por, aq sa ulëset u rrinë të vogla të ftuarve, gjithaq edhe prodhimi i 14 viteve rri ngushtë në një kryeqytet që duket se e ka harruar për një kohë të gjatë kinemanë.

Në një intervistë për News24, Ilir Butka, drejtor artistik i Festivalit tregon arsyet e mungesës, nga ndërrimi i drejtorëve te pamjaftueshmëria e prodhimit e deri tek thembra e Akilit, filmat prodhohen por nuk kanë promocion e shpërndarje.

“Në 14 vite janë prodhuar 200 filma, festivali shfaq në 10 ditë rreth 100 prej tyre”, thotë Butka, ndërsa përpiqet të fokuset te festa, duke lënë mënjanë mungesën e buxheteve, të kinemave, të rrjetit të promocionit e shpërndarjes, që sipas tij mungon edhe në konceptim nga institucionet shtetërore.

Teksa merr shembullin e Festivalit te Sarajevës, që i dha jetë e emër një shteti të tërë, Butka lë mënjanë problemet, jo për t’i fshehur, por që të mos ankohemi në një kohë feste.

Në një vend ku edhe kur ka filma nuk ka shumë publik, ose në një vend ku i njëjti publik udhëton nga një festival në tjetrin, sërish i pakët në numër krahasimisht me koncertet e artistëve pop që janë yje rrjetesh sociale, a ka gjasë që një festival filmi, të ndryshojë qasjen dhe të krijojë një brez të ri, që jo vetëm ndjek filmin shqiptar, por edhe që synon të kthehet në mbret të filmit, duke ndjekur ëndrrën e kineastëve?

Për Butkën, qëllimi është ky: të zhbëhet ajo distancë e madhe e krijuar mes filmit shqiptar dhe publikut shqiptar, dhe ky do të jetë suksesi i madh ose dështimi i madh i festivalit.

“Do të jetë zvogëlimi i këtij hendeku që do të tregojë”, nëse ulëset janë të vogla për një kinema të madhe, në një kohë që festivali i filmit, ligji i (debatuar) ri për kinematografinë ku integrohen një sërë risish teknologjike, përpjekjet modeste për rrjete kinemash dhe dëshira për të pasur të rinj të apasionuar pas artit të shtatë, do të prodhojnë më shumë se një event vjetor ose në të kundërt, në fund të fundit, ato ulëse janë parathënëse për një vend të vogël, me salla të vogla, ulëse të vogla, buxhete të vogla, e ide që edhe kur janë të mëdha, tkurren nga pamundësi të mëdha.

Filmat e rinj të viteve të fundit, për një sërë arsyesh nuk kanë arritur të shkojnë kudo e te kushdo, jo vetëm sepse regjisorët nuk janë Nolan-i e ne nuk jemi Hollywood-i, por edhe sepse në kalimin nga një kinema e suksesshme por e indoktrinuar, në një kinema që synon të gjejë veten në liri, kërkimi artistik mori kohë, ne humbëm strukturat, lidhjen mes brezave, buxhetet e hallkat që e bëjnë kinemanë kinema.

Edhe ato pak raste kur dikush i hodhi sytë drejt saj, nuk pati vazhdimësi dhe mbeti në suaza agjendash të përkohshme, a përdorimi të përkohshëm. Kinemaja, si çdo art, nuk është fushatë e kohëpaskohshme, është punë e përhershme që kërkon strategji, mekanizma, ligje, buxhete, marrëveshje dhe artistë që janë të lirë jo vetëm prej pushteteve politike, por edhe prej atyre ekonomike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb