E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn mori pjesë sot në ceremoninë e 25-vjetorit të Programit të Partneritetit Shtetëror të Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit me Shqipërinë.

Në fjalën e saj VanHorn theksoi se, Garda Kombëtare e Nju-Xhersit dhe Forcat e Armatosura Shqiptare jo vetëm që stërviten së bashku, por e bëjnë njëri-tjetrin më të mirë, më të fortë dhe më të aftë.

“Njëzet e pesë vjet më parë, lindi një partneritet jo vetëm midis dy forcave ushtarake, por midis dy kombeve të bashkuara nga vlera të përbashkëta dhe një vizion i përbashkët për paqen. Sot, ndërsa shoh uniformat ushtarake amerikane dhe shqiptare të mbledhura këtu së bashku, më vjen ndër mend se aleancat më të forta nuk ndërtohen në një moment të vetëm, por farkëtohen përmes dekadash besimi, sakrifice dhe angazhimi të ndërsjellë”, tha VanHorn.

Sipas saj, programi i Partneritetit Shtetëror midis Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit dhe Forcave të Armatosura Shqiptare ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm.

“Në vitin 2001, ky partneritet filloi me një premtim të thjeshtë: të stërvitemi së bashku, të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të qëndrojmë krah për krah. Dhe, ky premtim është mbajtur. Nju-Xhersi mbështeti hyrjen e suksesshme të Shqipërisë në NATO në vitin 2009. Më pas, vetëm dy vjet më vonë, ata dërguan pesë ndërrime të njësive të përbashkëta në Afganistan, duke shërbyer në luftë dhe duke treguar se kur amerikanët dhe shqiptarët qëndrojnë së bashku, jemi një shumëzues force për lirinë”, u shpreh VanHorn.

Por, shtoi e ngarkuara me punë e SHBA, “nuk është vetëm ajo që kemi arritur – është ku po shkojmë. Vitin e kaluar, pata privilegjin të vizitoj stërvitjen “Eagle Strike”, ku pashë kadetë nga Akademia e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Shkolla e Kandidatëve për Oficerë e Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Nju-Xhersit duke kryer së bashku një ushtrim stërvitor në terren. Të shihja ata oficerë të rinj të ardhshëm, shqiptarë dhe amerikanë, duke punuar përmes stërvitjeve taktike drejtuese të ekipeve të vogla në terren ishte vërtet frymëzuese. Ata lëviznin si një njësi e vetme, flisnin të njëjtën gjuhë ushtarake dhe mishëronin më të mirën e asaj që përfaqëson ky partneritet. Këta janë drejtuesit që do ta çojnë Aleancën tonë drejt së ardhmes”.

Gjithashtu, theksoi VanHorn, “vëzhgova stërvitjen me dronë midis Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit dhe ushtrisë shqiptare – dhe më duhet ta them, ishte spektakolare të shihja trupat tona duke zotëruar teknologjinë më të fundit së bashku. Kjo është mënyra si duket partneriteti modern: Jo statik, por dinamik. Jo i ngecur në të kaluarën, por duke paraqitur risi dhe duke evoluar me natyrën e luftës moderne”.

VanHorn shtoi se, “Garda Kombëtare e Nju-Xhersit dhe Forcat e Armatosura Shqiptare, jo vetëm që stërviten së bashku, por e bëjnë njëri-tjetrin më të mirë, më të fortë dhe më të aftë. Ky partneritet mishëron vizionin e fuqishëm të presidentit Trump të “Paqes përmes forcës”, duke ndërtuar forca të afta dhe të gatshme që të pengojnë agresionin dhe të mbrojnë lirinë”.

“Ndërsa festojmë 25 vjet, le të kujtojmë: ky partneritet nuk matet vetëm me përvjetorë, por me lidhjet midis anëtarëve tanë të shërbimit, aftësive që ndërtojmë dhe sigurisë që ofrojmë për kombet tona dhe Aleancën tonë. Për 25 vitet e ardhshme dhe më tej, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah, të gatshëm të përballojmë çdo sfidë që kërcënon vlerat tona të përbashkëta dhe lirinë tonë”, përfundoi e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb