Aktivisti dhe protestuesi Erjon Murataj ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kryeministrit Edi Rama për t’u dhënë 2500 euro shpërblim efektivëve të Policisë së Shtetit të angazhuar në vijën e parë gjatë protestave në Tiranë. Murataj e ka cilësuar këtë premtim si një përpjekje për t’i kthyer policët në zbatues të urdhrave të kryeministrit, ndërsa e ka akuzuar qeverinë për dhunë ndaj protestuesve, përfshirë të miturit.

Në studion e News24, aktivisti u shpreh se çdo ditë ka një arsye të re që i nxjerr qytetarët në shesh, ndërsa pretendoi se sjellja e policisë ndaj studentëve dhe të rinjve ka ndryshuar dinamikën e protestave.

“Çdo ditë ka një arsye të re që na nxjerr në shesh. Rama kërkoi t’i kthente në jeniçerë dhe vrasës dhunues të studentëve në protesta, policët jo më të shtetit, por të Edi Ramës”, deklaroi Murataj.

Ai u ndal te shpërblimi prej 2500 eurosh i premtuar sot nga Rama për efektivët, duke akuzuar kryeministrin se po përdor paratë publike për të shpërblyer efektivët, ndërsa pretendoi se gjatë protestave janë dhunuar të rinj dhe të mitur.

“Ishin protesta paqësore, por dinamika ndryshoi sepse shqiptarët i folën Ramës me gjuhën e paqes. Por ata dinë të flasin dhe ndryshe e kanë faktuar këto ditë. Nuk ndalen se Rama jep 2500 euro të paguajë policë të masakrojnë fëmijët e nënave dhe baballarëve shqiptarë. Rama i ka bërë llogaritë shumë gabim. Ka dhënë urdhër policisë së tij të dhunojë të mitur, të bëjë terror në lagjet e Tiranës. Është një kriminel i kohërave moderne”, u shpreh aktivisti.

Murataj paralajmëroi gjithashtu se, sipas tij, kryeministri do të përballet me pasojat e vendimeve të tij dhe se kostoja e situatës nuk duhet të rëndojë mbi familjet e protestuesve.

“Edi Rama e ka marrë mesazhin dje, do ta paguajë ai, jo familjet e atyre që janë në shesh”, deklaroi ai.

Aktivisti kritikoi edhe ndërhyrjet në bulevard gjatë protestave, duke përmendur heqjen e gurëve nga trotuarë, pasi përdoreshin nga protestuesit. Sipas Muratajt, dëmtimi i hapësirës publike dhe përdorimi i taksave për riparimin e saj janë pjesë e një situate për të cilën ai fajëson drejtimin e qeverisë.

“Shqiptarët në shesh edhe për shpërdorimin e taksave, kur shkul gurët nga bulevardi, gurë që janë shtruar me taksat e mia. S’e ka të drejtën të bëjë një bulevard që tashmë ishte i bërë. Sillet si kryetar i një organizate kriminale, jo një lider shteti”, përfundoi Murataj.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb