Analisti Ermal Hasimja, i ftuar në News24 komentoi edhe praninë e Belinda Ballukut në Asamblenë e Partisë Socialiste.

Hasimja tha se Balluku po i tregon dhëmbët kryeministrit Rama. Sipas tij, Balluku ka fuqi tepër të madhe në PS, ka grup deputetësh dhe Rama e di këtë.

Sipas Hasimja-s, Rama e di që Balluku ka kaq shumë fuqi, sa edhe mund ta rrëzojë qeverinë aktuale.

“Balluku ka mbrojtje nga ana e Ramës. Edhe Rama e di që është problem nëse nuk e mbron dot Ballukun. Rama e di që Belinda Balluku ka ndikim të madh, ka grup deputetësh në Partinë Socialiste dhe mund ta rrëzojë qeverinë aktuale. Unë mendoj që Rama do të donte ta lëshonte Belinda Ballukun, por situata e bën situatën të duket i shantazhueshëm direkt. Mund të reagojë ndaj Veliajt, por është dikush që po i tregon dhëmbët kryeministrit Rama.

Çështja Balluku ka dëmtuar edhe Partinë Socialiste, teksa çështja e imunitetit përmendet edhe nga ndërkombëtarët. Shumica aty janë njerëz që Edi Rama i ka bërë direkt ministra, pa i njohur njeri, prandaj ia kanë për borxh karrierën Ramës. Por asgjë nuk mund të thuhet me siguri, edhe funksionarët brenda PS-së çdo gjë mund të ndodhë”, tha Hasimja.

Në lidhje me Asamblenë e PS-së, Hasimja deklaroi se Rama nuk po lejon më as mosbindjen ndaj tij.

“Ajo që pamë është një skenë e partisë së Saddam Hussein në Irak dhe lideri thotë aty që në parti ka tradhtarë. Ndez një puro dhe të gjithë janë të vdekur nga frika, lexon emrat e disa njerëzve aty e lideri ju thotë ‘ju ikni’. Nuk u kuptua pse u përjashtua Spiropali dhe Plarent Ndreca. Rama nuk do as perceptimin e mosbindjes.

Po të shikoje fytyrat e njerëzve aty, dukeshin sikur janë në vaki. Çdokush aty duket sikur ndihen keq. Edi Rama kërkon bindjen absolute dhe sa më shumë bindje absolute kërkon, e bën më autoritar atë dhe kjo krijon më tepër pakënaqësi tek ata që janë të pranishëm aty. Edi Rama është një lider që po rrëshqet tek paranoja”, u shpreh Hasimja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: