NGA GERILINA KODHELI*

Nominimet e “Top Awards” kanë lënë të pakënaqur jo pak artistë. Shumë nga këngët hit janë “përjashtuar” nga eventi. Por, në listën e të pakënaqurve duket se nuk janë vetëm artistët që nuk kanë pasur një nominim, por edhe ata që kanë madje nga dy nominime. Shembulli konkret është ai i reperit nga Kosova, Besnik Cenolli, të cilin të gjithë e njohim si 2Po2. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, 2Po2 ka treguar se ka vendosur ta bojkotojë “Top Awards” për arsyen se ai beson se ky është një event i kurdisur dhe për pasojë, i dështuar. Pas lajmit për mospjesëmarrjen, reperi ka thënë gjithashtu se si shenjë revolte, pikërisht në orarin që do të mbahet “Top Awards”, ai do të publikojë edhe këngën “Ç’ka ka ftyra jem”, për të cilën në këtë intervistë për “Bluetooth” ka thënë se është përgjigjja më e mirë për të gjitha kompeticionet e tilla, përfshirë “Top Awards”. “Me këtë rast unë do t’i varros shpresat e një artisti se një ditë do të kemi mirënjohje të mirëfilltë, siç ndodh në vendet perëndimore, aty ku edhe inspirohemi të gjithë”, ka thënë 2Po2, teksa në këtë intervistë na shpjegon per Bluetooth edhe arsyet e tij për revoltën.

Besnik, sapo keni lançuar këngën tuaj të re, e cila ka në qendër të fabulës së saj revoltën. Na trego diçka më shumë për të. Çfarë e ka revoltuar 2Po2?
“Ç’ka ka ftyra jem”, vet titulli tregon për çfarë jam i revoltuar.

Përpara lancimit të këngës keni publikuar në rrjetet sociale edhe një status kundër “Top Awards”, ku e konsideroni “të kurdisur”. Ju ka zhgënjyer ky event? Pse?
Arsye ka shumë, do duhej një intervistë e gjatë për t’i shpjeguar. Të gjithë ata që më duan më këshilluan të mos flisja kundër “Top Awards”, por unë jam i bindur se arsyet e mija janë shumë më të mëdha se sa të bëhesha egoist dhe të mos flisja.
Ju personalisht keni hequr përfundimisht dorë nga kompeticionet? Këshilloni edhe artistët e tjerë ta bëjnë këtë?
Po, kam hequr dorë. Në videon e këngës “Ç’ka ka ftyra jem” e portretizoj varrimin e ceremonive të tilla sa më përket mua si artist, kurse të tjerët nuk i këshilloj të bëjnë të njëjtën gjë, sepse gjeneratat e reja besoj se do i eliminojnë njerëzit jo kompetentë.
Mendoni se çmimet në “Top Awards” janë të shitura? Çfarë ju ka prekur kaq shumë?
Nuk dua të spekuloj më shumë, sepse dua të respektoj artistët pjesëmarrës, ata do marrin çmimet dhe unë i përgëzoj.
Kohëve të fundit keni lancuar disa këngë, që janë pjesë e albumit tuaj të ri. Jeni të kënaqur me suksesin e tyre?
Si mendoni ju, jam i kënaqur apo jo?
Pse zgjodhët Flori Mumajesin për bashkëpunim dhe jo një reper?
Do kem bashkëpunime edhe me reper. Këngën e parë të albumit doja ta kisha me Florin, sepse më sjell fat talenti dhe sinqeriteti i tij.
Do të ketë bashkëpunime të tjera në albumin tuaj?
Po, patjetër.
Bashkëpunoni shumë rrallë me këngëtare femra. Kjo sepse bëhet xheloze bashkëshortja juaj, apo ka ndonjë arsye tjetër?
Nuk do të thoja që bashkëpunoj pak me këngëtare femra, kam punuar me Dafinën, Tunën, Elvanën, Besën. Por edhe e dyta qëndron, gruan e kam xheloze dhe kjo është shumë pozitive.
Jeni ndër të rrallët artistë që kanë arritur të qëndrojnë larg skandaleve e ju jeni një ndër ta. Megjithatë si reagoni kur dëgjoni lajme të pavërteta për veten?
Nuk ka pasur shumë të pavërteta për mua dhe për këtë i falënderoj gazetarët.
Jeni baba i dy djemve, jeni i rreptë, apo tolerant në familje?
Mund të jem të dyja, varet nga arsyet.
Do donit që ndonjë nga djemtë tuaj të trashëgonte pasionin dhe talentin tuaj në Hip Hop?
Ndoshta, pse jo? Të shohim.
Kohëve të fundit shumë artistë shqiptarë kanë arritur të depërtojnë në tregun ndërkombëtar të muzikës. Ju e synoni diçka të tillë?
Jo, unë nuk e synoj, por më gëzon fakti që të tjerët e kanë arritur.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: