3 humbje radhazi kanë zhytur Partizanin zyrtarisht në krizë. Askush nuk e mendonte një ecuri të tillë në këtë pikë të sezonit, pikërisht kur filluan të udhëheqin të vetëm kampionatin. Fillimisht në Ballsh, më pas në derbi dhe së fundmi në Durrës, 3 humbje të cilat kanë bërë që të kuqtë të zbresin ndjeshëm në tabelën e klasifikimit, vendi i 5-të në kuotën e 25-të pikëve, 5 pikë larg Kukësit të vendit të parë.

Për të gjetur një ecuri të tillë duhet të kthemi pak pas në kohë, në periudhën e Mark Julianos, dy sezone më parë, ku kryeqytetasit udhëhiqeshin nga një kupolë italiane me në krye Luciano Moggi si drejtor i përgjithshëm. Partizani në këto 16 javë kampionat ka zhbërë gjithçka të bukur dhe perfektë që ndërtuan në sezonin e shkuar ku u rikthyen tek titulli kampion pas 26 vitesh. Nuk ekziston më harmonia brenda grupit, nuk janë aspak të qetë, kjo u pa edhe përballë Teutës.

Jasir Asani
Jasir Asani

Janë prishur shumë hierarkitë, mjafton të shohësh që Asani, një nga titullarët e padiskutuar më shumë ka qëndruar në stol deri sa vendosi të largohet, Mala nuk aktivizohet për shkak të penalizimit të vendosur nga klubi, Bardhi jo gjithnjë preferohet titullarë, të gjithë këto ndryshime, ku meritë të padiskutuar nga ish trajneri Franko Lerda, kanë pasur një ndikim të drejtë për drejtë në lojë dhe në rezultat.

Olsi Rama
Olsi Rama

As marrëdhëniet brenda stafit drejtues nuk janë nga më të mirat, kjo u pa qartë edhe në vendimin e Gaz Demi për të larguar Franko Lerdën, një vendim ekskluziv i presidentit pa marrë fillimisht mendimin e drejtorit të përgjithshëm, në raste të tilla presidenti Demi gjithnjë ka kaluar topin nga Olsi Rama, të paktën kjo ishte përshtypja që të linte ai postim i klubit të kuq. Fatmirësisht pauza dimëror është shumë pranë, një mundësi për të bërë bashkë dhe një herë familjen e kuqe.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb