TIRANË- Nismës “Adopto 1 çerdhe” u janë përgjigjur 31 individë dhe kompani që, deri në fund të javës tjetër, do të sjellin në funksionalitet godinat që do të mirëpresin të vegjlit në muajin shtator. I pranishëm në çerdhen nr. 19 në Kinostudio, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu bashkua një grupi vullnetarësh, të cilët po japin kontributin e tyre për të sistemuar në kohë çerdhet.

“Më vjen mirë që të gjitha çerdhet janë sot zyrtarisht të adoptuara dhe deri në fund të javës tjetër, do të kemi çerdhe shumë më dinjitoze se ato që gjetëm kur morëm detyrën. Thirrjes tonë për të adoptuar një çerdhe i janë përgjigjur 31 kompani dhe individë”, deklaroi Veliaj.

Ai falënderoi grupin e vullnetarëve dhe kompanitë që u bënë pjesë e këtij projekti. Teksa shprehu mirënjohjen për vullnetarët që iu bashkuan nismës, kryebashkiaku Veliaj tha se kur një qytet ka probleme me financat, s’duhet të ketë probleme me bujarinë dhe zemërgjerësinë e atyre që duan të japin një kontribut.

“Dua të bëj një thirrje publike: Fundjavën tjetër, prindërit që sjellin fëmijët në këto çerdhe, çdo anëtar i komunitetit që do të jetë vullnetar, mund të vijë në një nga çerdhet që po riparohet, të na japë një dorë, mund të dhurojë diçka, lule, lodra, ose orë pune”, u shpreh Veliaj.

Sipas tij, kjo është mënyra më e mirë se si komuniteti i përgjigjet situatës financiare në Bashkinë e Tiranës dhe çështja e borxhit kompensohet me bujari e me zemërgjerësi, të cilën qyteti e ka pa fund.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shpalli disa ditë më parë nismën “Adopto një çerdhe”, duke kërkuar mbështetje për kthimin në funksionalitet të plotë të tyre. Në kushtet në të cilat ndodhej Bashkia e Tiranës, kur pushimet po mbarojnë dhe çerdhet duhet të funksionojnë me kapacitet të plotë, administrata e kishte të pamundur që të riparonte në kohë 31 çerdhet e Tiranës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: