Në kuadër të 35-vjetorit të inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar u organizua një konferencë shkencore ndërkombëtare me temë: “Roli i muzeve në shoqërinë moderne”. Konferenca mblodhi së bashku specialistë të fushës së muzeologjisë nga i gjithë vendi. Gjatë kësaj konference u diskutua mbi rolin e Muzeut Historik Kombëtar dhe të muzeve të vendit në komunitet, mbi nevojat dhe sfidat më të cilat përballen muzetë sot dhe mbi formimin e një rrjeti kombëtar të qëndrueshëm të muzeve dhe muzeologjisë. Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, e hapi këtë konferencë shkencore duke mbajtur kumtesën: “Roli i muzeve në një shoqëri moderne”. Ai tha se përgatitjet në kuadër të 35-vjetorit të përurimit të godinës së Muzeut Historik Kombëtar kishin filluar që herët.

“Konkretisht ka ndryshuar pamja e Pavijonit të Lashtësisë, duke u vendosur diçitura dhe ndriçim bashkëkohor. Gjithashtu sallat e pavijonit janë lyer sipas standardeve të muzeve në botë. Është pajisur me diçitura të reja pavijoni i ikonave. Diçiturat janë bashkëkohore dhe të një cilësie të lartë. Gjithashtu pas një pune studimore është shtuar një ikonë në ikonostasin e Shën Gjon Vladimirit, që gjendet në pavijon. Po punohet intensivisht për përgatitjen e këndit të artistes Tefta Tashko Koço etj. Në kuadër të 35-vjetorit të përurimit të godinës së Muzeut Historik Kombëtar është botuar Udhërrëfyesi i Muzeut Historik Kombëtar në dy gjuhë shqip dhe anglisht”, tha Labi.

Më pas Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar ngriti dhe disa aspekte problemore. Duke u nisur nga shqetësimet dhe problemet e kohëve të fundit, ai tha se është krijuar bindja se sistemi muzeor shqiptar, ka nevojë për një ristrukturim tërësor, prandaj mendoj se ka ardhur çasti i përshtatshëm për ndryshime rrënjësore në këtë drejtim. “E kërkon koha për të promovuar Qendrën Kombëtare të Muzeologjisë, e cila do të shërbejë si rregullator i gjithë sistemit të muzeologjisë shqiptare. Kjo qendër mbarëkombëtare, duhet të ketë status juridik të ngjashëm me atë të institucioneve shkencore.

Një synim parësor i Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë do të jetë botimi i revistës ‘Studime Muzeologjike’, e cila pas një ndërprerjeje prej dhjetë vjetësh ka rilindur me botimin e dy numrave 4 dhe 5 gjatë viteve 2014 e 2015 dhe këto ditë do të qarkullojë numri 6 i revistës, i cili do të përmbajë kumtesat e konferencës shkencore ndërkombëtare që po zhvillojmë sot” tha Labi. Ai shtoi se Qendra Kombëtare e Muzeologjisë do të bashkëpunojë me muzetë e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, me arbëreshët e Italisë, me arvanitasit e Greqisë, si dhe me muzetë e shteteve të tjera, për të promovuar kulturën mbarëkombëtare të trevave shqiptare.

“Deri më sot, në fushën e botimeve muzeologjike ka pasur mangësi të mëdha, si nga shkaku i mundësive financiare, por edhe nga mos këmbëngulja e muzeologëve. Kjo pengesë serioze do të kapërcehet, duke kryer proceset e përgatitjes për botim me burimet njerëzore të muzeut. Veprat e artit iliro-shqiptare, që gjenden të ekspozuara nëpër muzetë e ndryshëm të botës, duhet të riprodhohen dhe të ekspozohen nëpër muzetë tanë”, shtoi drejtori i MHK-së. Sipas tij, detyrë parësore e Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë do të jetë inventarizimi dhe dixhitalizimi i objekteve muzealë dhe bashkëpunimi me Interpolin, për të parandaluar trafikimin e tyre jashtë vendit.

“Gjithashtu ky bashkëpunim do të jetë, në gjetjen dhe kthimin e objekteve të trafikuara”, tha në fjalën e tij drejtori Melsi Labi. Po sipas tij domosdoshmëria e krijimit të Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë i jep një zgjidhje juridike dhe praktike, duke u konsideruar edhe si një çështje e mirëfilltë shkencore. Labi tha se synim parësor i Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë, do të jetë ristrukturimi tërësor i sistemit muzeor shqiptar. Sistemi muzeor është i lidhur me turizmin, prandaj duhet t’i përgjigjet kërkesave të kohës, në kushtet e globalizmit dhe të një shoqërie të hapur.

Më pas konferenca shkencore vazhdoi me kumtesa të tjera ku Dr. Arsim Sinani, President i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike, pedagog në Universitetin e Prishtinës, foli për temën: “Gjendja e kulturës shqiptare në Maqedonihumbja e vlerave të trashëgimisë kulturore, sfidat për ruajtjen e tyre”. Arsim Sinani ngriti një sërë shqetësimesh duke thënë se projekti montruoz “Shkupi 2014” ka asgjwsuar kulturën ilire, se faktet e dokumentacioni që kanë të bëjnë me shqiptarët janë futur nëpër depo, dhe se godina e Kongresit të Manastirit për alfabetin shqip është në situatë kritike.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: