Kanceri është një nga shkaqet kryesore të vdekjes sot në botë, sidomos në vendet në zhvillim. Në vitin 2008 u llogaritën rreth 7.6 milionë vdekje, ndërsa në vitin 2030 kjo shifër mund të arrijë në 13.1 milionë. Në ditën botërore kundër kancerit organizatat e shëndetësisë bëjnë apel për më shumë kontrolle, pasi 1.5 milionë jetë mund të shpëtohen çdo vit nëse merren masa të rëndësishme për të luftuar kancerin. Rreth 30% e vdekjeve nga kanceri ndodhin për shkak të rreziqeve kryesore të mënyrës së jetesës dhe sjelljes si, mbipesha, konsumimi i pakët i frutave e perimeve, mungesa e aktivitetit fizik, përdorimi i duhanit, përdorimi i tepruar i alkoolit etj.

Në mbarë botën, llojet kryesore apo më të zakonshme të kancerit që vrasin njerëzit janë: kanceri i mushkërive, stomakut, mëlçisë, i zorrës së trashë, i gjirit dhe kanceri i qafës së mitrës.
Dita Botërore e Kancerit, 4 shkurti, është e vetmja iniciativë, ku e gjithë bota mund të bashkohet në luftën kundër epidemisë globale të kancerit. Dita Botërore e Kancerit është mundësi ideale për të rritur ndërgjegjësimin e luftës kundër epidemisë globale të kancerit, si dhe për të treguar se zgjidhjet nuk janë të pamundura, ato ekzistojnë në të gjithë vazhdimësinë e kancerit dhe janë brenda mundësive tonë.

Dita Botërore e Kancerit do të shqyrtojë zbatimin e asaj që ne tashmë njohim në fushat e parandalimit si zbulimi i hershëm, trajtimi dhe kujdesi, të cilat mund të ndikojnë për më mirë në barrën globale të kancerit. Nëpërmjet zbatimit të strategjive të bazuara në fakte për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit, si dhe menaxhimit të mirë të pacientëve, sëmundja e kancerit mund të reduktohet dhe të kontrollohet.

Këtë vit, Dita Botërore e Kancerit 2016-2018 këtë ka zgjedhur si mesazh “Unë mundem, ju mundeni.” Kanceri mund të prekë çdo njeri në mënyra të ndryshme, por secili ka fuqinë për të vepruar dhe për të marrë masa në reduktimin e impaktit të sëmundjes tek individët, familjet dhe komunitetet. Dita Botërore e Luftës kundër Kancerit është një mundësi për të reflektuar mbi atë që ju mund të bëni.

Fushata 2016-2018 e luftës kundër kancerit eksploron njëzet veprime që ndërmerren për të shpëtuar jetë, për të arritur një barazi më të madhe në kujdesin ndaj kancerit, dhe për ta vendosur luftën kundër kancerit si një prioritet në nivelet më të larta të politikës. Edukimi dhe informimi i individëve dhe komuniteteve për lidhjet ndërmjet stilit të jetës dhe rrezikut për kancerin është hapi i parë në parandalimin efektiv të kancerit. Pajisja e individëve dhe komuniteteve me njohuritë e përshtatshme dhe të duhura për lidhjen që ekziston midis stilit të jetës dhe kancerit, mund të fuqizojë njerëzit që të bëjnë zgjedhje të shëndetshme. Individët dhe komunitetet duhet të informohen për faktin se më shumë se 1/3 e llojeve të kancerit mund të parandalohen duke adaptuar sjellje të shëndetshme.

Diagnostikimi i kancerit nuk është gjithmonë i lehtë; jo të gjitha llojet e kancerit mund të shfaqin shenja dhe simptoma që në fillim, por mund të shfaqen më vonë kur kanceri ka avancuar. Megjithatë, rritja e ndërgjegjësimit për shenjat dhe simptomat, si dhe rëndësia e trajtimit në kohë, ka treguar se ka përmirësime në mbijetesën nga kanceri. Prandaj zbulimi sa më herët i kancerit pothuajse gjithmonë e bën më të lehtë trajtimin.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: