NGA ERJON SKENDAJ*
TIRANË- Medikamenti kryesor i kimioterapisë për fëmijët me leucemi, ASPARAGINZE, vijon të mungojë në shërbimin e Onko-Hematologjisë në QSUT. Vetë Ministria e Shëndetësisë bën përgjegjëse firmat importuese farmaceutike për dështimin tre herë të tenderit për blerjen e medikamentit.

Por ndërsa Ministria e Shëndetësisë mendon vetëm sesi të justifikojë mungesën e medikamentit kryesor të kimios, në spital ka me dhjetëra fëmijë të vegjël që e kanë të lidhur jetën me këtë medikament.

Sabrina është një prej atyre fëmijëve që e ka të lidhur jetën me ilaçin e kushtueshëm që e kalon vlerën e 650 eurove. Vetëm 4 vjeçe vajza e vogël me origjinë nga fshati Velitern i Korçës është diagnostikuar me një formë akute të kancerit në gjak dhe duhet të marrë urgjentisht mjekimin e kimios ditën e hënë.

Drama thellohet kur mësojmë se si familja e varfër ka edhe një tjetër të sëmurë rëndë. Djali më i madh i shtëpisë ka 15 vite që vuan nga një çrregullim i rëndë mendor i shkaktuar nga epilepsia që në moshën 2-vjeçare.

E gjendur në udhëkryq, pa punë e pa të ardhura, e dërrmuar nga sëmundjet e njëpasnjëshme të dy fëmijëve të saj, nëna e Sabrinës, Monda Hysollari thotë se do të ndërmarrë një hapë ekstrem atë të braktisjes së fëmijës në derën e kryeministrit a të ministrit të shëndetësisë nëse ilaçi i kimios nuk gjendet nga spitali deri ditën e hënë.

Zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar përmes një komunikate për mediat se medikamenti L’asparaginaze nuk është bar i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe që prej vitit 2015 e në vijim nuk ka patur import të këtij bari në Shqipëri.

Për mungesën e ilaçit në rrjetin spitalor dhe tregun e hapur farmaceutik kjo ministri fajëson kompanitë importuese farmaceutike për mos paraqitje në tenderin e hapur për blerjen e barit duke bërë që ky tender të dështojë tre herë.

Por teksa Ministria e Shëndetësisë duket se ka ngritur duart dhe është dorëzuar përballë problemit të gjetjes së ilaçit nuk ka rezultuar kështu për këngëtaren Aurela Gace e cila një muaj me pare mundësoi privatisht blerjen e medikamentit Asparaginaze në farmacitë shqiptare, plotë pesë kura për 5 fëmijë të vegjël të sëmurë me leucemi.

Për çdo kontribut për Sabrinën mund të kontaktoni me babain e vajzës, Fredi Hysollari në numrin 068 34 20 464.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: