Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu kundërpërgjigj deputetit të Lëvizjes Bashkë Redi Muçi, i cili e paralajmëroi të ketë kujdes me protestuesit, sepse rinia është në shesh prej 44 ditësh ku kërkohet largimi i qeverisë.
“Ti s’ke asnjë të drejtë, as politike, as morale, të flasësh në emër të popullit, sepse në këtë sallë ka një shumicë të caktuar nga vota e një viti më parë. Ndërkohë që ti je thjesht dhe vetëm aksidentalisht në këtë sallë, sepse ke ardhur për shkak të dorëheqjes së një deputeti tjetër. Ti ke ardhur hajdutçe në Parlament”, deklaroi Balla.
Duke iu referuar protestave të zhvilluara në Tiranë, Balla tha se në fillim ato kishin një kauzë të drejtë për mbrojtjen e mjedisit, por më pas u politizuan.
“Protesta, kur nisi, ishte diçka e bukur. U nis në emër të disa kërkesave që lidhen me mjedisin. Por prej ditës së parë e kam thënë se kur hynë Saliu, Gonja, Qorri apo të tjerë, flamingot fluturuan dhe ngelën sorrat”, u shpreh ai.
