Reduktimi i nivelit të humbjeve përbën sfidën kryesore të OSHEE Group, e cila përmes mekanizmave të ndryshëm synon rritjen e standardeve të shërbimit ndaj abonentëve, bën të ditur OSHEE.

Në dy vitet e fundit, shoqëria ka operuar në terrene atipike, për shkak të pandemisë, shoqëruar me thatësirat në HEC-e dhe shtrëngim të investimeve.
 
“Megjithatë, organizimi i strukturave me kontrolle të vazhdueshme dhe përmirësimin e proceseve të punës, bashkë me investimet për mirëmbajtjen e rrjetit, kanë dhënë rezultat në reduktimin e mëtejshëm të nivelit të humbjeve në total. Pesëmujori 2022 u mbyll me nivel humbjesh në rrjetin elektrik 21.88%, ose 1.04 pikë përqindje ulje më tepër se 2021, për të njëjtën periudhë”, deklaron OSHEE.
 
Drejtori i Departamentit të Matjes, Bilancit dhe Suportit të Tregut, pranë OSSH-së, Ermal Murati tregon se, rezultati u arrit falë punës intensive, sidomos në muajt prill-maj, ku humbjet zbritën në 17.71%, nga 19.62% që ishin vitin e kaluar, ndërsa vetëm në muajin maj humbjet arritën në 17.08%.
 
“Përmirësimi i mëtejshëm i treguesve vjen si ndërveprim i ndërhyrjeve në rrjetin e amortizuar, mirëmbajtjes së aseteve të OSSH, instalimit të matësave smart, si dhe kontrolleve në zonat e identifikuara me humbjet më të larta, nga ku zbulohen raste të vedhjes së energjisë elektrike.
Shifrat janë pozitive, por ende larg asaj ku duam të arrijmë, ndaj kërkohet punë e vazhdueshme me strukturat në rajone, dhe bashkëpunim me organet e drejtësisë, jo vetëm për identifikimin e abuzuesve të energjisë elektrike, por edhe parandalimin e fenomemit”, deklaron Murati.
 
Kujtojmë se në vitin 2014, kur nisi reforma, OSHEE trashëgoi një sistem të degraduar, ku më shumë se 50% energjisë elektrike vidhej, kurse kompania shpenzonte 150 milionë euro në vit, për mbulimin e humbjeve përmes importeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb